Pompeo: Me Vuçiqin diskutuam për dialogun Kosovë-Serbi; Vuçiq: E kemi mbështetjen amerikane për heqjen e taksës Foto: Twitter.com/SecPompeo

Pompeo: Me Vuçiqin diskutuam për dialogun Kosovë-Serbi; Vuçiq: E kemi mbështetjen amerikane për heqjen e taksës

20 August 2019 21:01

Në Nju Jork është zhvilluar takimi mes presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe sekretarit të shtetit amerikan, Mike Pompeo.

Edhe raportuar paraprakisht se temë kyçe do të jetë çështja e Kosovës dhe kështu me sa duket edhe ka qenë.

Pas takimit, Pompeo në Twitter ka theksuar se temë kyçe ka qenë dialogu Kosovë-Serbi dhe anëtarësimi i Serbisë në BE. Po ashtu, ka thënë se normalizimi i marrëdhënieve mes dy vendeve forcon stabilitetin e tërë rajonit.

“Drekë produktive me presidentin serb Aleksandar Vuçiq për dialogun Kosovë-Serbi dhe për anëtarësimin e Serbisë në BE. Normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën do të forcojë stabilitetin dhe prosperitetin për Serbinë, për Ballkanin Perëndimor dhe për komunitetin trans-atlantik”, ka shkruar Pompeo në llogarinë e tij zyrtare në Twitter, raporton Koha.net.

Kurse nga ana e tij, presidenti Serb Vuçiq ka thënë ta ketë lutur administratën amerikane që të provojë edhe më fuqishëm të ndikojë tek Kosova që të heq taksat.

Në një postim në profilin e tij zyrtar në Instagram, Vuçiqi ka thënë të kenë biseduar gjatë për gjithçka, ndërsa ka shtuar se Pompeo ka dashur të dëgjojë se çfarë mendon Serbia “para së gjithash për zgjidhjen e problemit të Kosovës”.

“Mendoj se në mënyrën më të shkurtër dhe më të thjeshtë e kam treguar qëndrimin e Serbisë”, ka shkruar më tej presidenti serb.

“E kam lutur administratën amerikane, edhe pse këtë e ka bërë edhe deri më tani, që edhe më fuqishëm të ndikojë tek shqiptarët e Kosovës e Metohisë që të heqin taksat, të cilat na i kanë vënë para një viti, dhe për këtë çështje s’ka dyshim që e kemi mbështetjen e Amerikës”, ka thënë Vuçiqi, duke shtuar se “ata, sikurse edhe ne, mendojmë se është e rëndësishme që të vazhdohet dialogu mes Beogradit dhe Prishtinës”.

Dreka e punës, që u organizua në margjina të seancës së Këshillit të Sigurimit të OKB-së për situatën në Lindjen e Mesme, ka qenë e mbyllur për media.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Agim krasniqi21/08/2019 10:31

Pavarsisht se kush cka thot Kosova duhet te veproj ne baze te interesave te veta e jo te pazareve te shteteve te ndryshme te cilat japin sygjerime te ndryshme duke ha vene ne pazare te interesave te shteteve "mike".

Shto koment

Të ngjashme