Avokati i Popullit nuk gjen parregullsi të mëdha në burgun e Lipjanit Foto: Koha / ilustrim

Avokati i Popullit nuk gjen parregullsi të mëdha në burgun e Lipjanit

19 August 2019 13:34

Avokati i Popullit ka publikuar Raportin me rekomandime lidhur me Qendrën e Paraburgimit në Lipjan.

Raporti në fjalë i referohet vizitës nga Mekanizmi Kombëtar për Parandalim të Torturës (MKPT) realizuar më 29 maj 2019. Qëllimi i kësaj vizite, sipas IAP-së, ishte vlerësimi për respektimin e të drejtave të njeriut për të burgosurit e akomoduar në Qendrën e Paraburgimit në Lipjan (QPL), të cilat u garantohen me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, me ligjet e aplikueshme në Republikën e Kosovës, si dhe me standardet ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave të të burgosurve.

Gjatë vizitës në QPL realizuar nga MKPT-ja, personeli i shërbimit korrektues dhe personeli i Departamentit Shëndetësor të Burgjeve (DShB) i ofruan ekipit monitorues bashkëpunim të plotë.

Avokati i Popullit ndërkaq thotë se MKPT-ja nuk ka marrë asnjë ankesë për keqtrajtim fizik apo për përdorim të tepruar të forcës fizike nga zyrtarët korrektues.

Por, gjatë vizitës në Qendrën e Paraburgimit në Lipjan, IAP thotë se MKPT-ja ka vërejtur se kati i parë i QPL-së ishte rinovuar tërësisht, mirëpo kushtet e akomodimit në katin e dytë dallojnë dukshëm nga ato në katin e parë dhe nevojiten rinovime sa më shpejt që të jetë e mundur.

Po ashtu, MKPT-ja ka vërejtur se dyshekët e shtretërve janë të vjetruar dhe nuk janë ndërruar për kohë të gjatë dhe, për pasojë, në disa shtretër ka depërtuar lagështia.

“Sa i përket regjimit, të burgosurit mund të angazhohen për punë në kuzhinë, për pastrim, për mirëmbajtje të objektit, në lavanteri dhe në kopshtin e QPL-së. Të burgosurit kanë në dispozicion dy orë e gjysmë shëtitje gjatë ditës. Po ashtu në dispozicion të tyre janë edhe dy fusha sportive, të cilat janë të shtruara me beton, e që shpesh ndodh që gjatë lojës, të burgosurit të lëndohen. Aktivitetet sportive mund të zhvillohen gjatë kohës kur të burgosurit dalin në shëtitje”, thotë raporti i Avokatit të Popullit.

Lidhur me ofrimin e shërbimeve shëndetësore në QPL, bazuar në pohimet e të burgosurve dhe në dokumentacionin relevant, të sapo pranuarit, brenda 24 orëve, i nënshtrohen kontrolleve mjekësore, në pajtim me Ligjin për Ekzekutimin e Sanksioneve Penale (LESP) dhe me Praktikën Standarde të Veprimi të DShB-së. Po ashtu, këto shërbime jepen nën kushte të cilat respektojnë konfidencialitetin.

Sa i përket kontaktit me botën e jashtme, sipas drejtorit të QPL-së, të burgosurit kanë të drejtë për një vizitë në javë. Vizitat në rastin e të paraburgosurve autorizohen nga gjykata kompetente.

“Prandaj, bazuar në gjetjet gjatë vizitës së realizuar, Avokati i Popullit i rekomandon Ministrisë së Drejtësisë që të shtohen aktivitetet jashtë qelisë për të paraburgosurit në QPL; të furnizohet QPL-ja me dyshekë të rinj dhe cilësorë; të rinovohet kati i dytë i QPL-së; të njoftohet MKPT-ja për çështjen e përdorimit të peper spray ma afat të skaduar”, përfundon njoftimi i Avokatit të Popullit.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme