VV-ja më së shumti e PDK-ja më së paku donacione, AAK-ja s’i tregon donatorët

Ridvan Hamza Ridvan Hamza 15 August 2019 19:04

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Sami Kurteshi, në mes të dhjetorit të vitit 2017, kishte derdhur 3 herë nga njëmijë euro në llogarinë e partisë së tij.

Nga njëmijë euro kishin deponuar edhe një numër deputetësh e anëtarë të kësaj partie, që tani edhe nuk janë më pjesë e saj, si Visar Ymeri e Aida Dërguti, raporton KTV.

Donacionet e vazhdueshme, kryesisht nga aktivistë, kishin rezultuar që Lëvizja Vetëvendosje ta përmbyllte vitin 2017 me më së shumti donacione, krahasuar me partitë e tjera në vend - në total, 52 mijë e 985 euro.

Raporti financiar i këtij viti nuk gjendet në ueb-faqen e KQZ-së ku janë publikuar të dhënat e partive të tjera, por gjendet në ueb-faqen e Vetëvendosjes.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, në ueb-faqen e KQZ-së, ka të publikuar vetëm raportin për zgjedhjet lokale, në të cilin figuron shuma prej 50 mijë e 713 eurosh.

Por, në të nuk gjenden emrat e kontribuuesve.

Për vitin 2017, Nisma Socialdemokrate ishte e treta për shumën e donacioneve.

Ato i kishte nisur ish-deputetja e kësaj partie, Valdete Bajrami, bashkë me burrin e saj, Ilir Bajrami, që në dy muajt e parë të vitit kishin ndarë 400 euro në total.

Shuma prej mbi 1,000 eurosh ishin ndarë nga kontribuues individualë, por edhe donacione prej 5,000 eurosh nga një biznes, që në fund të vitit kishin mbërritur në 25,173 euro.

Në listën e donacioneve të LDK-së, bazuar në pasqyrat vjetore financiare të partive për 2017, rezultojnë 18 mijë e 341 euro.

Shumica e kontribuuesve ishin kandidatë të subjektit Alternativa, që garoi në listë me LDK-në, dhe një pjesë e madhe nga Ramiz Kelmendi dhe biznesi i tij “Elkos” - gjithsej 5,540 euro.

E fundit në listën e subjekteve kryesore politike për nga numri i kontributeve është Partia Demokratike e Kosovë, me vetëm 7,500 euro të deklaruara.

Raportet e financave të audituara për vitin 2017, së voni u publikuan në ueb-faqen e KQZ-së dhe evidentuan një sërë parregullsish dhe shkelje të Ligjit për Financimin e Subjekteve Politike.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme