Arbëri

Armiqtë dhe aleatët e Kosovës, pjesë e fushatës së partive

Foto: Koha / ilustrim

Liderët e partive politike vazhdojnë t’i shfrytëzojnë takimet me diplomatët e huaj për t’i goditur kundërshtarët politikë, edhe pse zyrtarisht as nuk janë shpallur zgjedhjet, as nuk ka nisur fushata parazgjedhore.

Javët e fundit ka ashpërsim të diskursit edhe ndërmjet partnerëve të deritashëm të koalicionit qeverisës, shkruan sot “Koha Ditore”.

Kryetari i Partisë Demokratike, Kadri Veseli, ka thënë të mërkurën se zgjedhjet do të jenë vendimtare pasi qytetarët do të vendosin pro atyre që ruajnë dhe forcojnë aleancat me miqtë ndërkombëtarë, apo pro atyre që i trajtojnë partnerët ndërkombëtarë si të ishin armiq dhe e lënë Kosovën të vetmuar.

Këtë deklaratë Veseli e ka dhënë pas takimit lamtumirës me ambasadorin e Britanisë së Madhe, Ruari O’Connell, dhe me ambasadoren e Kroacisë, Marija Kapitanoviq.

“Unë gjithmonë kam besuar në partneritet. Unë mendoj se për të pasur sukses dhe prosperitet duhet të ruajmë marrëdhëniet speciale që kemi ndërtuar me SHBA-në dhe BE-në. Unë jam i bindur se duke dëmtuar këtë lidhje dëmtohet Kosova, prandaj ne nuk duhet ta lejojmë që të ndodhë kjo gjë”, ka shkruar Veseli.

Para se të jepte dorëheqje Haradinaj, Veseli nga Shtetet e Bashkuara kishte thënë se kryeministri po flet me Amerikën si me Serbinë. Deklarata kishte ardhur pasi Haradinaj refuzoi ta pezullonte taksën, me gjithë kërkesën e Washingtonit dhe Bashkimit Evropian.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)