Arbëri

Veseli: S’ka më kryeministër me qira

Foto: Driton Paçarada / Koha

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës Kadri Veseli, ka thënë se partia e tij nuk përkrah një qeveri teknike dhe se zgjedhjet janë e vetmja mënyrë për të dalë nga kriza. Veseli, i cili mban postin e kryetarit të Kuvendit, ka thënë se PDK ia ka dhënë dy herë postin e kryeministrit partive tjera, siç ka thënë ai me qira, dhe se një gjë e tillë nuk do të ndodhë në këto zgjedhje.

Duke folur gjatë një interviste për Radion Evropa e Lirë, Veseli e ka quajtur këtë legjislaturë si të papërgjegjshme. Ai ka thënë se ai është duke folur hapur për gabimet që i ka bërë partia e tij. “Gabimet të cilat i ka bërë Partia Demokratike e Kosovës, unë jam duke i sanuar”, ka thënë Veseli.

Radio Evropa e Lirë: Kryesia e Kuvendit të Kosovës, ka marrë vendim për mbajtjen e seancës më 22 gusht për shpërndarjen e Kuvendit. Ka pasur deklarata se deri në këtë datë mund të ketë tendenca për formimin e një qeveria teknike. A do të pranonte PDK diçka të tillë?

Kadri Veseli: Është e vërtetë, ka pasur oferta që të vazhdohet ky mandat deri në vitin 2021, me mandatar për kryeministër nga Partia Demokratike e Kosovës, përkatësisht vet mua, ka pasur edhe oferta nga partitë të cilat tentojnë në opinionin publik të flasin për zgjedhje shumë të shpejta të parakohshme. Por jo, kjo nuk do të ndodhë për vet faktin se në rrethanat në të cilat është Kosova aktualisht, qytetarët e meritojnë një qeverisje e cila do t'i drejtonte në një rrugëtim të zhvillimit të perspektivës, luftës kundër korrupsionit, këto janë prioritetet më të mëdha në Kosovë, punësimi dhe lufta kundër korrupsionit.

Në të njëjtën kohë, në momentin kur Kosova është e fuqishme ekonomikisht, mund të ballafaqohet edhe me Serbinë, në këtë moment më së shumti i duhet legjitimiteti qytetar, çdoherë kur kemi dyshime në vete duhet t'i drejtohemi qytetarëve, ky ka qenë vendimi im, ndoshta dikë e ka befasuar, por besoj te qytetarët dhe duhet të shkojmë në zgjedhje, meqenëse këto zgjedhje janë edhe një lloj referendumi për rrugën në të cilën do të shkojë Kosova në katër vitet e ardhshme.

Radio Evropa e Lirë: Çfarë oferte ka qenë?

Kadri Veseli: Ka qenë oferta, jo vetëm për ne, përkatësisht që Partia Demokratike e Kosovës për kryeministër me mua të mbarohet deri në vitin 2021, ofertë konkrete nga parti politike të cilat sot flasin për vija të kuqe në zgjedhje vetëm për hir të një përfitimi në opinionin publik. Unë po flas edhe njëherë, në momentin kur ka dilema, vendosmëria më e madhe e imja ka qenë që të shkojmë në zgjedhje. Çdoherë kur e kemi pyetur popullin kemi dalur më mirë dhe në momentin kur e fiton këtë legjitimitet duhet pastaj edhe ta drejtojë vendin.

“Dy herë e kemi dhënë kryeministrin me qira”

Kadri Veseli: Nuk ka kompromise, për vet faktin se unë po flas si kryetar i PDK-së, dy herë e kemi dhënë kryeministrin me qira, dy herë. Njerëzit që nuk e kanë besimin e qytetarëve, nuk e kanë as legjitimitetin, por as përgjegjësinë, në dy rastet kemi dështu dhe kjo është dhe ky është një rast unik për vet Kosovën që të ecet përpara. PDK shkon në zgjedhje me besimin tek vullneti i qytetarëve, askush nuk guxon ta cenojë vullnetin e as interesin e qytetarëve, por shkon edhe me besimin për të fituar dhe për të udhëhequr me atë legjitimitet që e japin qytetarët, në asnjë mënyrë tjetër.

/intervistën e plotë e gjeni në Radion Evropa e Lirë/