Arbëri

Festën me armë s’ka kush e ndal, MPB-ja shtyn për fund të gushtit procesin e legalizimit

“Festo me zemër, jo me armë”, është apeli i Policisë së Kosovës gjatë sezonit të verës, kur numri i ahengjeve familjare është më i madh, e me to edhe numri i rasteve të përdorimit të armëve.

Për përdorimin e tyre, vetëm të shtunën, Policia e Kosovës ka shoqëruar në stacion për intervistim pesë persona, raporton KTV.

Por të njëjtit, me vendim të prokurorit, janë liruar në procedurë të rregullt.

Përkundër vlerësimit se në duar të qytetarëve janë mbi 100 mijë armë pa leje, zëvendësministri në largim i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Izmi Zeka, thotë se Kosova qëndron shumë më mirë se vendet e rajonit në këtë aspekt.

Përmes telefonit, Zeka ka thënë se janë të kënaqur me numrin e aplikacioneve për legalizimin e armëve.

Një ndër arsyet pse kosovarët hezitojnë të dorëzojnë armët, sipas Zekës, është edhe situata politike dhe marrëdhëniet me Serbinë.

Fushata për legalizimin e armëve të vogla dhe të lehta ka filluar në fund të vitit 2018, derisa aplikimi për legalizim është dashur të përfundojë në qershor, por që afati është zgjatur deri në fund të gushtit. Më pas, sipas Zekës, do të vazhdojnë me një fazë të re, atë të dorëzimit vullnetar të tyre.