Arbëri

Raporti i “Çohu” për shkollat profesionale: Mungesë pajisjesh dhe lidhjes me tregun e punës

Në publikimin e një raporti monitorues, organizata Çohu ka renditur një varg problemesh me të cilat përballen nxënësit e shkollave të mesme profesionale në Kosovë.

Cilësia e mësimdhënies, mungesa e pajisjeve, pamundësia e zhvillimit të orëve të praktikës dhe mungesa e një lidhjeje me tregun e punës, u përmendën si shqetësime kryesore në këtë prezantim.

Autorja e raportit, Florie Xhemajli, tha se Ministria e Arsimit është dikasteri i tretë qeveritar me zbatueshmërinë më të vogël të reformave, që parashihen në marrëveshjet reformuese të Kosovës me Bashkimit Evropian.

“Përveç moszbatimit në masë të madhe të masave, një masë e vetme është realizuar me shumë vonesa dhe me disa probleme, është që në momentin që kemi takuar përfaqësues të aftësimit profesional, atëherë kemi parë që edhe këto reforma që janë iniciuar nuk korrespondojnë me gjendjen dhe problemet reale që janë”, ka thënë Xhemajli.

Sipas raportit, ende ka paragjykime për zgjedhjen e profesionit sipas gjinisë. Ndërsa theksohet se drejtimet ku orientohen vajzat janë, kryesisht, profesione të paqëndrueshme në tregun e punës.

Shqetësim tjetër serioz, sipas Xhemajlit, është se rreth 30 për qind e profileve në shkollat e mesme profesionale, nuk korrespondojnë me tregun e punës.

Ajo tha se mungojnë marrëveshjet e Ministrisë së Arsimit me bizneset për kryerjen e praktikës, ndërsa shtoi se ka vetëm marrëveshje vetanake të shkollave me biznese.

Problem tjetër që u përmend në publikimin e këtij raporti, është edhe politizimi i shkollave.