Policia e Kosovës ka apeluar te qytetarët që të shtojnë kujdesin kur ngasin veturat në rrugë.
Përmes një mesazhi telefonik për qytetarët, Policia ka apeluar për respektim të kufizimit të shpejtësisë e përqendrim në ngasje.
“APEL NGA POLICIA! Respekto kufizimin e shpejtësisë! Përqendrohu në ngasje, jo në telefon! Vendose rripin e sigurisë! Vozit me kujdes, mos shpejto, familja ju pret!” thuhet në apelin e Policisë së Kosovës.
Në një njoftim për media, Policia ka thënë se me qëllim të shtimit të masave për të rritur sigurinë në trafik, ka hartuar dhe po e zbaton një plan operativ që parasheh parandalimin e aksidenteve.
“Veç aktiviteteve policore në këtë aspekt, Policia e Kosovës KËRKON-APELON tek të gjithë pjesëmarrësit në trafik që të respektojnë rregullat dhe shenjat e trafikut rrugor. Sot, më 30 korrik 2019, Policia e Kosovës, në vazhdën e kërkesës për pjesëmarrësit në trafik, në bashkëpunim me operatorin e telefonisë ‘VALA’, ka filluar dërgimin e një mesazhi për rreth një milion përdorues të numrave të kësaj kompanie. Me këtë rast, falënderojmë operatorin në fjalë për mbështetjen e ofruar. Policia e Kosovës, për të gjithë ata pjesëmarrës në trafik, e në veçanti për drejtuesit e automjeteve, të cilët do të bëjnë shkelje të ligjeve e rregullave të trafikut do të ndërmerr masa ndëshkuese sipas ligjeve në fuqi”, thuhet në njoftim.