Arbëri

OVL-të i quajnë gënjeshtra pohimet e Sveçlës se Veseli e Thaçi janë intervistuar nga Specialja

I bindur se presidenti Hashim Thaçi dhe kryeparlamentari Kadri Veseli, tashmë janë intervistuar nga Gjykata Speciale, është deputeti i Vetëvendosjes, Xhelal Sveçla.

Deputeti Sveçla, në Interaktiv, derisa ka folur për dorëheqjen e Ramush Haradinajt, ka deklaruar se Thaçi është intervistuar dy herë në raste të ndryshme dhe vazhdon të jetë president, raporton KTV.

Por, deklaratat e Sveçlës, nga Organizata e Veteranëve të Luftës i kanë cilësuar gënjeshtra, të cilat u përdorën vetëm për fushatë zgjedhore.

Kryetari Hysni Gucati është i sigurt që as Thaçi e as Veseli nuk janë ftuar nga Specialja, ndryshe thotë se ata do ta informonin fillimisht organizatën.

Gucati ka thënë se nuk do të ishte i befasuar nëse dy krerët e shtetit thirren në Hagë në çfarëdo rasti.

KTV-ja ka pyetur Zyrën e Presidentit dhe atë të Kryetarit të Kuvendit nëse z.Thaçi dhe z.Veseli tashmë janë intervistuar nga Gjykata Speciale, por nuk ka marrë përgjigje gjatë ditës.

Në kohën e raportimit se Veseli mund të ketë udhëtuar jashtë Kosovës për t’u intervistuar nga Specialja, ai e kishte mohuar këtë gjë duke thënë se nuk është marre e as kiamet po të ftohej për diçka të tillë.