Arbëri

Pak bashkatdhetarë vizitojnë Kuvendin, edhe më pak deputetë dolën për t’i pritur

Edhe këtë vit Kuvendi i Kosovës ka organizuar aktivitetin tradicional “Bashkatdhetarët në Kuvend”, ku të gjithë bashkatdhetarët mund ta vizitojnë Kuvendin dhe të takohen me deputetët, por interesimi i mërgimtarëve për ta vizituar këtë institucione në mëngjesin e sotëm ishte mjaftë i vogël. Por, as për t’i pritur, nuk është që deputetët e kishin marrë seriozisht.

Këtë ditë të pushimit të tij në Kosovë, Visar Bakolli i cili që 15 vjet jeton në Gjermani kishte zgjedhur që ta nis duke e vizituar Kuvendin e Kosovës, ku ka shprehur edhe shqetësimet e tij si mërgimtar.

Teksa shpreh pakënaqësitë e tij ndaj punës së Kuvendit të Kosovës, Bakolli thotë se problem për ta mbetet funksionimi i arsimit shqip në Gjermani, si dhe mundësia e votimit për shkak të heqjes së nënshtetësisë, meqë Gjermania lejon vetëm një nënshtetësi.

“Si po shihet brenda Kuvendi është shumë mirë , por me punë ne si diasporë megjithëse unë nuk jam shumë gjatë në Gjermani, jam qe 14-15 vite, mirëpo me punë nuk jemi të kënaqur absolut aspak. Ne si diasporë na preokupojnë shumë gjëra ku fëmijët tanë ose mësuesit tanë nuk paguhen nga Qeveria e Kosovës por paguhen nga gjermanët edhe pse atje disa republika nuk i paguajnë fare ...Unë që tri vite jam shtetas gjerman më është imponuar me prishur shtetësinë ku tani nuk besoj që kam të drejtë për të votuar ku shtetet tjera kanë mundësi me bashkëpunim, Qeveria e Kosovës dhe Gjermaninë ka mundësi dy shtetësi me i pas atje”, thotë ai, transmeton ksp.

Ai thotë se shpresa e vetme për zgjidhjeve e problemeve të diasporës mbetet zgjedhja e Albin Kurtit si kryeministër i Kosovës.

“Mbajmë një shpresë tek zotëri Albin Kurti që kur të bëhet kryeministër t’i jap një kahje tjetër shumë më të bukur dhe më të mirë, sepse është njëri shumë i aftë, janë lodhur të gjithë me Thaçin, Ramush, me të gjithë i kemi provuar këtë se kemi provuar ende”, shprehet Bakolli.

Shqetësimet e këtij mërgimtari i dëgjoi dhe iu dha përgjigje deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Ali Lajqi i cili tha se kërkesa për ta mbajtur gjallë arsimin shqip në mërgim është e nevojshme.

Duke i konsideruar diasporën si një resurs shumë me vlerë për Kosovën, deputeti i Vetëvendosjes tha se institucionet duhet të jenë më të kujdesshme ndaj kësaj vlere të shoqërisë sonë.

Lajqi tutje tha se në vendet që nuk njihet pasaporta e Kosovës duhet të shikohet mundësia për të krijuar kushte për votim për qytetarët e Kosovës që jetojnë atje.

“Kërkesa për ta mbajtur atje arsimin në shqip që është shumë e nevojshme , mundësia e financimit që kishte me qenë shumë e nevojshme , por duhet të gjendet forma e transferit, përkrahje duhet të jetë unike. Edhe zhvillimet tjera kulturore dhe organizimet që bëhen për manifestime të ndryshme , madje organizimi me shoqata atje është i drejtë dhe këtë e kanë bërë dhe po e bëjnë dhe të mund të shohim ne nga ana tjetër se çka mundemi nga ana tjetër të ndihmojmë , përfaqësimin e tyre në punën e Kuvendit, përfaqësimin e tyre në Kuvendin e Kosovës me deputet, madje deri në shkallën e ministrive”, tha Lajqi.

E mungesën e deputetëve që kanë dalë t’i mirëpresin bashkatdhetarët që do e vizitojnë Kuvendin e Kosovës, Lajqi e arsyetoi duke thënë se tani është koha e pushimeve.

Ndryshe dyer e Kuvendit të Kosovës do jenë të hapura për bashkatdhetar sot deri në orën 16:00, si dhe gjatë ditës së nesërme.