Arbëri

Thaçi: Çmoj gatishmërinë e Krasniqit dhe të tjerëve për bashkëpunim me drejtësinë

Descriptive Text

Kreu i shtetit Hashim Thaçi, ka reaguar pas ftesës që ka marrë nga Specialja, Jakup Krasniqi, ish-zëdhënës dhe anëtar i Shtabit të Përgjithshëm i UÇK-së e që dikur kanë qenë edhe bashkëpartiakë në PDK.

Thaçi ka thënë se lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka qenë dhe do të mbetet përjetësisht e pastër dhe e drejtë.

“Asnjë gjykatë, as vendore, as ndërkombëtare, nuk mund ta njollos atë. Me Jakup Krasniqin, me anëtarët e tjerë të Shtabit të Përgjithshëm, komandantët e zonave dhe ushtarët që janë ftuar nga Gjykata Speciale, ne e kemi mbrojtur popullin dhe e kemi luftuar armikun deri në çlirimin e vendit tonë”, ka shkruar Thaçi.

“Si president i vendit, si bashkëluftëtar, e çmoj shumë gatishmërinë e të gjithëve që të bashkëpunojnë me drejtësinë. Duke bashkëpunuar me drejtësinë ndihmojmë që të ngadhënjejë e vërteta për luftën tonë çlirimtare. Jam i bindur që, njëjtë sikurse në të kaluarën, sërish do të dalim fitimtarë. Pastërtia e luftës sonë do të dëshmohet përballë çdo gjykate”, ka thënë më tej Thaçi.