Haradinaj jep dorëheqje, ftohet nga Specialja

Dorentina Thaqi dhe Endrit Berisha 19 July 2019 16:09
19:03

Gjithçka filloi si zakonisht në mbledhjen e Qeverisë, ku ministra e zv.ministra po diskutonin e po votonin pikat e rendit të ditës për këtë mbledhje.

Por, në fund të kësaj, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, filloi të lexonte një letër, që i ka zënë në befasi të pranishmit dhe opinionin publik.

Pas mbledhjes ku njoftoi dorëheqjen, Haradinaj doli në konferencë për media ku, dukshëm emocional, tregoi arsyen për të cilën ai kishte vendosur të japë dorëheqje nga ky post.

Ai ka thënë se nuk dëshiron të dalë para gjykatës si i pari i Qeverisë, por si një qytetar i vendit që atje do të shkojë për ta mbrojtur Kosovën.

Më tutje, i pari i AAK-së ka thënë se tani i mbetet në dorë presidentit të vendit të vendosë për zgjedhjet e reja dhe se pasi të kthehet nga Haga, do të kandidojë sërish për postin e kryeministrit.

Ramush Haradinaj ishte zgjedhur kryeministër i Kosovës në 9 shtator të vitit 2017 me 61 vota të deputetëve të PDK-së, Nismës, AKR-së dhe Listës Serbe.

16:09

Haradinaj jep dorëheqje, ftohet nga Specialja

Ramush Haradinaj ka dhënë dorëheqje nga posti i kryeministrit të Kosovës.

Në fund të mbledhjes së Qeverisë ai ka bërë të ditur se ka dhënë dorëheqje të parevokueshme. Arsye e këtij vendimi ka thënë se është një thirrje për t’u paraqitur për t’u marrë në pyetje nga Specialja si i dyshuar.

Haradinaj ka lexuar letrën e dorëheqjes në përfundimin e mbledhjes së Qeverisë. Ai tutje ka shtuar se taksa do të vazhdojë të mbetet.

“Pas kësaj dorëheqje mandatin ia kthej popullit, ju jeni të parët që ju informoj. Qeveria e vendit vazhdon të kryejë funksionet e veta pa krijuar vakuum, do i informojë zyrtarisht gjitha institucionet relevante, do i mbes gjithnjë besnik atdheut, ishte ndër t'i shërbej vendit. Dorëheqja është e parevokueshme”, ka thënë ai.

“Përgjegjësia tani kalon te presidenti për të filluar konsultat për të caktuar datën e zgjedhjeve. I ofrohem prapë popullit për të marrë besimin. Nuk jam i akuzuar, por intervistohem. Garoj në zgjedhje edhe unë edhe subjekti im. Por s’kam mundur ta qoj shtetin dhe kryetarin e qeverisë sepse do t’ia rëndoja Kosovës dhe e kam marrë këtë vendim”, ka thënë Haradinaj i emocionuar.

“S’e kam zgjedh këtë realitet. Nuk mendoj se e meriton t’ia bëj këtë Kosovës dhe nuk e bëj”, ka shtuar ai.

Letra e plotë e dorëheqjes e Haradinajt:

Të nderuar kolegë

Dua të ju informoj se sot kam marrë këtë vendim:

Jap dorëheqje të parevokueshme nga detyra e Kryeministrit të Republikës së Kosovës dhe dua që të ju falënderoj për besim dhe përkrahje

Arsyeja e këtij vendimi është se kam marrë thirrje të paraqitem për t’u marrë në pyetje nga Dhomat e Specializuara në Hagë si i dyshuar

Qeveritë dhe pushtetet janë të ndërrueshme, jetojmë në demokraci

Nderi i kryeministrit dhe shtetit duhet të ruhet dhe unë nuk e poshtëroj asnjëherë. Në Hagë si Ramush Haradinaj do t’i dal përballë shpifësve ashtu si e kërkon nderi i luftëtarit shqiptar

Pastërtia ime dhe e luftës së UÇK-së e konfirmuar nga dy aktgjykime nuk mund të njolloset nga askush dhe asnjëherë

Shteti im është Kosova e paprekshme në multietnicitet, shumëgjuhësi, në territor e kufij

Kosovës i bëhet presion i padrejtë për çmimin e njohjes nga Serbia. Ndarja apo Dodik Republika janë të papërballueshme për Kosovën dhe stabilitetin e rajonit

Si kryeministër i Qeverisë së Kosovës besoj fuqishëm se çmimi për njohje është tregu dhe për këtë taksa duhet të jetë çmimi i njohjes

Bashkësia ndërkombëtare po bën gabim që po insiston në çmim të papërballueshëm për Kosovën për njohje. Lidershipi kosovar po bën gabim se nuk po e fuqizon legjitimitetin e vendimit për taksën ndaj Serbisë. Herët a vonë do ta kuptojmë se sa dëm i madh po i bëhet vendit me këtë mosunitet

Kosova euroatlantike është e interesuar për njohje reciproke në kufijtë ekzistues

Dialogu për njohje është edhe rruga për tregti të lirë me Serbinë

Kurrë s’është vonë të jemi bashkë – tregu për njohje e jo ndarja apo Republika e Dodikut

Më lejoni të ju siguroj se Taksa mbetet, ushtria e Kosovës shkon para, Trepça është e gatshme për investime

Pas kësaj dorëheqjeje, mandatin ia kthej popullit. Sovrani të vendos për udhëheqjen e ardhshme me zgjedhje të lira dhe demokratike

I drejtohem Presidentit që në afatin kushtetues të kryejë konsultimet me partitë politike dhe t’i shpallë zgjedhjet e parakohshme

Qeveria e vendit vazhdon të kryejë funksionet e veta pa lejuar vakuum qeveritar deri në Qeverinë e re të dalë nga zgjedhjet e lira dhe demokratike

Menjëherë do t’i drejtohem me shkresa zyrtare për dorëheqjen e parevokueshme institucioneve të vendit dhe udhëheqëse të koalicionit qeverisës

Do t’i shërbej me besnikëri gjithë jetën, popullit, atdheut dhe shtetit tim Kosovës

Faleminderit!

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

PC22/07/2019 16:38

Ai do të jetë i pafajshëm në Hagë dhe do të kthehet në Kosovë për zyra.

Shto koment

Të ngjashme