Ymeri: Opozita të dijë si do të duket qeveria e ardhshme para se të rrëzojë aktualen

Ymeri: Qeveria duhet ta ndihmojë Telekomin që ta tejkalojë krizën

17 July 2019 23:37
00:00

Deputeti Visar Ymeri ka folur për hetimet që i ka zhvilluar Komisioni Hetimor për Telekomin, ka thënë se kanë zbuluar kontrata të dëmshme në Telekom, e ndër më të mëdhatë, sipas tij, është ajo me Zmobile.

“Por edhe të tjera që kanë të bëjnë me shitje e stërshitje të produkteve të Vala-s. Ka edhe kontrata për shërbime që Telekomi ka njerëz të punësuar për ato shërbime. Nëse e shohim në përgjithësi, Telekomi është përdorur nga njerëzit e fuqishëm politikisht, të përfshirë ose jo në politikë, për të kanalizuar paranë e ndërmarrjes publike nëpër xhepat e vet”, deklaroi Ymeri në Interaktiv të KTV-së.

Për të dalë nga kjo gjendje, pasi që Zmobile e ka dërguar lëndën e borxhit prej 25 milionësh që ia ka Telekomi tek përmbaruesi, Ymeri tha se qeveria, si aksionare e Telekomit, do të duhej të ndërhynte të ndihmonte Telekomin financiarisht që të tejkalonte këtë krizë.

“Domosdoshmërisht, kontrata me Zmobile nuk duhet vazhduar. Duhet kërkuar nga Rregullatori që numrat e Zmobile t’i kthehen Vala-s. Për sa i përket 25 milionëshit, është vendim i Arbitrazhit. Siç kemi gjurmuar pak në Komision, shihet se në këtë rast Telekomi ka shkuar i papërgatitur. Ky tash është vendim gjyqësor, dhe tash ka shkuar në përmbarim. Mendoj se këtu më s’ka mundësi ligjore që të ndërhyjë në një proces të vendosur nga gjykata”, u shpreh ai.

Ai tha se s’është e sigurt nëse dikush duhet të vihet para përgjegjësisë penale për gjendjen e krijuar në Telekom. Por thotë se ka lëshime të cilat nuk mund të jenë të paqëllimshme.

Deputeti i PSD-së foli edhe për çështjen e mos-akreditimit të 3 universiteteve publike dhe për ndërhyrjet politike në Agjencinë Kosovare të Akreditimit. Ai tha se në asnjë mënyrë politika nuk guxon të ndërhyjë në institucionet e pavarura.

“AKA është institucion i pavarur. Vendimet e AKA-s do të duhej që të merreshin seriozisht nga Qeveria, por veçanërisht nga këto universitete, që sa ankohen, më mirë të merren me problemet që u janë shfaqur. Në sektorin e Arsimit duhet të kemi një përgjegjësi më të madhe. Nga Qeveria e deri tek drejtuesit të këtyre institucioneve akademike. Duke emëruar rektorë të tillë si Artan Nimani, që dyshohet për sulm, mendoj se po e shkatërrojmë procesin e arsimit”, theksoi Ymeri.

23:54

Ymeri: Kur ishte ekipi negociator, Thaçi s’ishte i përfshirë fare në dialog

Visar Ymeri, një prej anëtarëve të ekipit negociator me Serbinë, ekip që u shpall i jashtëligjshëm nga Gjykata Kushtetuese, ka thënë se gjatë kohës sa ekzistonte ky ekip, presidenti i Kosovës Hashim Thaçi s’ishte i përfshirë fare në procesin e dialogut.

Sipas tij, Thaçi po të ndërhynte atë kohë do të bënte veprime antiligjore, ndërsa pas vendimit që e shpalli antikushtetues ligjin për dialogun ai mund të përfshihet në dialog lehtësisht.

“Thaçi, gjatë kohës sa ka ekzistuar ekipi negociator, s’ka qenë fare i përfshirë në procesin e dialogut. Po të mos shpallej ligji antikushtetues, çdo ndërhyrje e tij do të ishte antiligjore, sepse kompetencat i kishte ekipi negociator. Sot takimi i Thaçit me Vuçiqin do të kishte reagim të ashpër, e s’do të ishte antiligjor. Atëkohë do të ishte antiligjore”, ka thënë ai.

Ymeri ka thënë se pa një ligj të tillë, takimet në kuadër të dialogut me Serbinë trajtohen si aktivitet i zakonshëm i politikës së jashtme të Kosovës.

Ai ka thënë se në periudhën sa funksionoi ky ekip, në total shpenzoi rreth 40 mijë euro.

“Para janë gjithsej rreth 40 mijë euro, përfshirë tërë aktivitetin, pagat e udhëtimet në Bruksel, përgatitjet për platformën, si ndër kostot kryesore, pasi janë angazhuar ekspertë nga jashtë”, ka thënë ai në Interaktiv të KTV-së.

23:47

Ymeri thotë se PSD-ja s’e pranon autostradën e Dukagjinit

Deputeti i PSD-së, Visar Ymeri, duke folur planet për ndërtimin e autostradës së Dukagjinit, ka thënë se partia që ai përfaqëson është kundër saj.

Ymeri tha se Republika e Kosovës nuk e ka në asnjë mënyrë luksin të vazhdojë me ndërtimin e autostradave që po u kushton mundësive ekonomike të vendit.

“Sikur t’i investonim këto fonde në sektorin e energjisë, sot s’do të kishin kurrfarë problemi as për të ardhmen energjetike të Kosovës. Ose investimet në Bujqësi, sot, nëse nuk do të ishim eksportues, së paku s’do të importonim, ose në Arsim, besoj se do të kishim shkolla shumë më të afta që do t’i përgatisnin nxënësit e Kosovës të jenë në hap me kohën me zhvillimet në botë”, u shpreh Ymeri në Interaktiv të KTV-së.

Tutje, ai tha se autostrada e Dukagjinit është absolutisht e panevojshme dhe është një projekt jashtëzakonisht i shtrenjtë. “Më mirë të bëhen zgjerime e intervenime në rrugët aktuale. Projekti i autostradës është gabim shumë i madh që duhet stopuar”, tha ai, duke shtuar se edhe Nisma është kundër autostradës.

“Ne nuk e votojmë buxhetin i cili në përbërje ka planin për ndërtimin e autostradës së Dukagjinit, dhe nuk e mundësojmë ndërtimin e kësaj autostrade”, u shpreh ai.

Duke u ndalur tek vendimi i Gjykatës Kushtetuese për ekipin negociator, Ymeri tha se ky ekip u shpërbë “sepse ai [ekipi] për ne ka qenë i rëndësishëm për shkak të kompetencave që i ka pasur”.

“Synimi ynë ka qenë që procesi i dialogut t’i bartet Kuvendit. Ekipi i ka pasur kompetencat ekskluzive për mbarëvajtjen e dialogut dhe monitorimin e tij, si dhe në raportimin në Kuvend. Gjykata i ka shpallur këto kompetenca në kundërshtim me Kushtetutën. Por, unë prapë mendoj se kemi nevojë për një mekanizëm mbikëqyrës të dialogut. Qeveria, në mandatin e kaluar, e ka nënshkruar një marrëveshje që ishte në shpërputhje me Kushtetutën në 23 nene të saj. Pra, për sa i përket efektit politik, kur dialogu drejtohej nga kryeministrit, ndodhën përplasje të mëdha në Kuvend. Sikur të kishim një mekanizëm koncensual të përbërë nga të gjitha partitë, do të ishte ndryshe. Këtë e kundërshtoi kokëfortësia e dy subjekteve opozitare politike. Me 2/3 e votave të Kuvendit do të mund të ndryshonim Kushtetutën dhe të kishim një ekip negociator kushtetues”, theksoi deputeti i PSD-së, Visar Ymeri.

23:37

Ymeri: Opozita të dijë si do të duket qeveria e ardhshme para se të rrëzojë aktualen

Visar Ymeri, deputet i PSD-së, ka thënë se partitë opozitare, para se të votojnë mocionin për rrëzim të qeverisë, duhet të jenë të sigurta se i kanë numrat për rrëzim dhe të dinë se si do të dukej qeveria e ardhshme.

Në Interaktiv të KTV-së ai ka thënë se do të ishte veprim i kotë nëse opozita e ngrit mocionin në Kuvend nëse nuk është e sigurt se i ka numrat për rrëzim.

“Mendoj që së pari duhet të kemi parasysh që me deklarime publike, ende nuk janë numri i mjaftueshëm i deputetëve për të votuar mocionin. Një dështim e shtyn për së paku tre muaj qeverinë. Zgjedhjet do të ishin zgjidhje nëse pas tyre do të kishim idenë se si do të dukej qeveria e ardhshme e si do të ishte më e mirë se qeveria aktuale”, ka thënë ai.

“Po presim deri tash, nga LDK-ja si partia më e madhe, të marrë veprimin e të sjellë mocionin për të cilin kemi dhënë nënshkrimet. Por janë dy gjëra të rëndësishme, të qartësohet pse po rrëzohet qeveria e që të garantohet se qeveria e ardhshme të mos vazhdojë me avazin e njëjtë”, ka thënë ai duke shtuar se ka shumë pika për të cilat duhet të dihet rrugëdalja në të ardhmen.

Sipas tij, “ngarendja për zgjedhje pa menduar situatën paszgjedhore, mund të jetë edhe e dëmshme për vendin”.

Ymeri ka përsëritur qëndrimin e partisë së tij që rrëzimi i qeverisë të mos varet nga votat e Listës Serbe. Ai ka thënë se zbehja e rolit të kësaj partie në Kosovë është bërë për shkak të mënyrës së sjelljes së PSD-së.

“Është e vërtetë që Lista Serbe ka ndikuar për t’u votuar kjo qeveri. Janë situata të ndryshme me të kaluarën. Ajo s’është tash pjesë e pushtetit për një kohë të gjatë. Edhe pse kanë ulëse të garantuara, është bërë e panevojshme për qeverinë dhe numrat në kuvend dhe ka sjellë pozitivitet në politikëbërjen në Kosovë për aq sa mund të gjejmë gjëra pozitive. Kjo është ndoshta ndër të paktat. Pasi e ka humbur rolin për shkak të mënyrës së sjelljes së PSD-së si opozitë në Kuvend. Mendoj që si jemi sjellë ne në Kuvendin është mënyra se si sillet opozita në çdo kuvend normal. Votat jepen me kushte në interes të qytetarëve”, ka thënë tutje ai.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme