Arbëri

Xhaferi komenton për korrupsionin në Maqedoninë e Veriut

Foto: Alban Bujari / Koha

Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, thotë se janë institucionet përkatëse ato që duhet të thonë fjalën e fundit rreth përfshirjes së dyshuar në një rast marrje ryshfeti nëpërmjet zhvatjes, të Kryeprokurores së Posaçme Katica Janeva, e cila tashmë ka dhënë dorëheqjen.

Gjatë një interviste për “Zërin e Amerikës”, Xhaferi tha se në rast se vërtetohet përfshirja, efekti do të ishte domino pasi do të krijonte problem për të gjitha çështjet që ka trajtuar Kryeprokurorja e Posaçme.

Xhaferi ndodhej në Uashington për të marrë pjesë në punimet e një forumi parlamentar në kuadër të atij që njihet si Partneriteti Demokratik i Dhomës së Përfaqësuesve. Ky i fundit është një komision dypalësh, i përbërë nga 20 ligjvënës të angazhuar për të punuar drejtpërdrejt me vendet partnere anembanë botës, për të mbështetur zhvillimin e institucioneve legjislative efektive, të pavarura e të përgjegjshme.