MMPH-ja thotë se problem i gjobave për ndotësit e mjedisit mbetet mungesa e inspektorëve

Fitim Majkovci 13 July 2019 20:22

300 euro është dënuar një person që ka hedhur mbeturina në fshatin Stallovë të Prishtinës, të premten pasdite.

Derisa ai u dënua nga inspektorët e Komunës së Prishtinës, në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor thonë se do të vazhdojnë me gjoba për të gjithë ata që shkelin kornizën ligjore dhe e dëmtojnë ambientin në nivel vendi, raporton KTV.

Por, për dallim nga kryeqyteti, problem në çështjen e shqiptimit të gjobave mandatore, sipas Leutrim Sahitit, zëdhënës në MMPH, paraqesin komunat që nuk kanë inspektorë të mjedisit.

Sahiti tha se në tërë Republikën e Kosovës, vetëm gjatë periudhës dhjetor 2018 - qershor 2019, janë dhënë mbi 1,000 gjoba mandatore.

Sipas tij, lëndët e qytetarëve që nuk i paguajnë gjobat që u shqiptohen, shkojnë te përmbaruesi privat për ekzekutim të detyrueshëm të pagesës.

Qytetarët ndajnë mendime të ndryshme rreth kësaj çështjeje, duke thënë se primar është vetëdijesimi në mënyra të tjera dhe se ruajtja e ambientit duhet nisur nga secili qytetar veç e veç.

Gjobat mandatore, sipas zyrtarëve të Ministrisë, shërbejnë për vetëdijesimin e qytetarëve të pandërgjegjshëm, të cilët hedhin mbeturina jashtë vendeve të caktuara.

Gjoba mandatore, më së shumti janë shqiptuar në Prishtinë, Pejë, Vushtrri, Prizren, dhe Ferizaj.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme