Arbëri

Tahiri thotë se do të hetohet çdo lëshim i mundshëm në provimin e noterisë

Dy herë radhazi u ka ikur pyetjeve të deputetëve duke mos u përgjigjur pozitivisht në ftesat për raportim në Komisionin për Legjislacion. Por, të premten, ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri ka dalë në një konferencë për media, ku ka mbrojtur provimin e noterisë.

Përkundër raportimeve të shumta për konflikte të interesit në mes anëtarëve të komisionit dhe kandidatëve që i ishin nënshtruar provimit, Tahiri ka insistuar se ky provim ishte mirë i organizuar.

Megjithatë, Tahiri ka thënë se janë të gatshëm të japin përgjegjësi për çdo lëshim të mundshëm, derisa ka theksuar se vetëm gjykata mund ta anulojë këtë proces.

Tahiri ka kritikuar letrën e kryetares së Komisionit për Legjislacion dhe Mandate, Albulena Haxhiu, e cila i kërkoi atij që ta anulojë provimin e noterisë dhe ta kthejë në pikën zero.

Ndërsa, anëtarja e komisionit, Merita Kostanica, për të cilën u raportua se ishte në konflikt interesi me disa që e kishin kaluar këtë provim, ka thënë se e ka deklaruar këtë konflikt interesi.

Një ditë më parë, ministri i Drejtësisë, në emisionin Interaktiv të KTV-së, tha se të hënën do të paraqitet në komision për t’ia shpjeguar kryetares Albulena Haxhiu arsyet se përse nuk duhet të anulohet provimi i noterisë.

Deri më tani, janë 175 kandidatë që kanë kaluar provimit e noterisë.