Mospagesa e energjisë elektrike në komunat me shumicë serbe ka nxitur reagim të Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, i cili iu ka bërë thirrje qytetarëve që të protestojnë për të kundërshtuar këtë diskriminim.
Sipas këtij këshilli, qytetarët e Kosovës në mënyrë të organizuar duhet të kundërshtojnë vendosjen e standardeve të dyfishta dhe të kërkojnë trajtim të barabartë, shkruan sot “Koha Ditore”.
“Institucionet e Kosovës duhet të dëshmojnë se janë shtet dhe se nuk pranojnë që serbët të sillen në këtë mënyrë. Ndryshe, përshkallëzimi i situatës në Kosovë, fillimisht i natyrës sociale duhet dhe do të jetë i pashmangshëm e që pastaj do të përcillet me destabilizim politik dhe të situatës së sigurisë”, thuhet në një komunikatë për media të lëshuar nga KMDLNJ-ja të mërkurën.
Këshilli ka rikujtuar se si qytetarët kanë paguar për energjinë e shpenzuar nga serbët në veri, duke përmendur premtimin e Qeverisë së këta qytetarë do të kompensohen, por që një gjë e tillë nuk ka ndodhur.
“Serbët e veriut të Kosovës edhe më tutje refuzojnë të paguajnë faturat për rrymë dhe shërbime të tjera, ndonëse buxheti i Kosovës dëmtohet për më shumë se 12 milionë euro në vit. Shteti i Kosovës nuk vepron në veri, në ndërkohë që edhe për borxhin më të vogël të faturës për rrymë të shpenzuar KEDS-i, përmes përmbaruesve, ua bllokon llogaritë bankare edhe kategorive sociale”, thuhet në komunikatën e KMDLNJ-së... (shkrimin e plotë e gjeni në numrin e sotëm të “Kohës Ditore”)