Banorët e deputetët i ankohen Matoshit për hidrocentralet në Shtërpcë, ai thotë se s'ka kompetencë t'i ndalë punimet

Fitim Majkovci 08 July 2019 19:21

Të pafuqishëm për t’i ndërprerë punimet e hidrocentraleve tashmë në përfundim e sipër, po e konsideron veten ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi.

Të hënën ai ka raportuar për hidrocentralet e Shtërpcës në Komisionin parlamentar që mbikëqyr çështjen e ambientit.

Ministri, i cili u kritikua për lëshimin e lejeve mjedisore për këto hidrocentrale, tha se secili prej tyre i nënshtrohet lejes në komunën e Shtërpcës dhe jo në Ministrinë që ai drejton, raporton KTV.

Përveç anëtarëve të komisionit, të pranishëm në diskutim ishin edhe përfaqësues shqiptarë e serbë nga fshatit Biti.

E përfaqësuesi i këtij fshati, Agron Rushiti, tha se toka e tyre bujqësore varet prej lumit Lepenc, dhe si pasojë e punimeve, banorët e fshatit nuk kanë ujë të pijshëm.

Ministri Matoshi tha se sipas të dhënave të tij, debatet publike ishin organizuar, mirëpo për më shumë ndryshim tha se ka fuqi Kuvendi e jo Ministria.

Ndërsa, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Liburn Aliu, shfaqi shqetësimin e tij për trajtimin e banorëve duke thënë se ata po ndihen të kërcënuar nga autoritetet e vendit.

I zëshëm në këtë debat ishte edhe deputeti tjetër i LVV-së, Salih Zyba, i cili tha se shtrimi i gypave në këtë pjesë e shndërron lumin Lepenc në një lum të mbyllur dhe jo akumulues.

Mes shumë diskutimeve dhe akuzave, Matoshi tha se ndërprerja e këtyre punimeve nuk është kompetencë e tij, por e deputetëve që mund ta ndryshojnë Ligjin aktual.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme