Numri dy i PDK-së, Uran Ismaili, ka thumbuar ish-partnerin në Qeverinë e kaluar, kreun e LDK-së Isa Mustafa, ndaj thirrjes së këtij të fundit që të rrëzohet Qeveria.
“Isa Mustafa po thërret për rrëzimin e Qeverisë, por po harron se Qeveria nuk mbahet gjallë kur udhëheqësi i saj dorëzohet, siç bëri ai me Qeverinë që drejtonte. Qeveria nuk rrëzohet as kur kryetari i opozitës frikësohet të thërret seancë për mocion mosbesimi. Fjalët nuk rrëzojnë qeveri”, ka thënë Mustafa.
Ismaili ka thënë tutje se “Isa Mustafa dhe LDK-ja duhet ta kuptojnë se problemet e LDK-së nuk janë edhe shqetësime të qytetarëve”.
“LDK-ja çdo ditë po dëshmon se është joserioze me opsionin e vet si alternativë qeverisëse. Paaftësia e saj për të udhëhequr brenda partisë po tregon se ajo nuk është e gatshme të udhëheq as vendin. Koalicioni i Isa Mustafës i proklamuar me LVV-në dhe temat e proklamimit me fjalët e luftës kundër korrupsionit dhe flirtimi me njerëz partiakë të korruptuar janë ogur i zi për pikën kritike ku ka mbërri LDK-ja”, ka thënë Ismaili.
Tutje, Ismaili ka thënë se “LDK-ja e përçarë thellë, por e mbajtur e bashkuar nga ambicia për ta marrë pushtetin bashkë me Lëvizjen Vetëvendosje nuk ofron as afër zgjidhjen e problemeve të qytetarëve”.
“Në situatën ku është zhytur ajo nuk mund të krijojë front në luftë kundër korrupsionit. Përkundrazi!”, ka thënë ai.
Thotë se vetëm në ministrinë që e drejton ai, në atë të Shëndetësisë, e ka parë nga afër se “si qeverisja e LDK-së nën udhëheqjen e Isa Mustafës i ka trajtuar njerëzit më në nevojë. Politikat e tyre kanë qenë më se të dëmshme për qytetarin”.
“Të sëmurët e varfër kanë paguar ilaçe shumëfish më shtrenjtë dhe kanë marrë shërbime shëndetësore që nuk përkojnë me dinjitetin njerëzor. Udhëheqja e juaj ka prodhuar keqmenaxhime të barnave dhe ka sjellë spitale pranë rrënimit etj”, ka thënë Ismaili, përcjell Koha.net. “Dëmi që LDK-ja i ka bërë vetëm shëndetësisë është i pallogaritshëm”, ka shtuar më pas.
“Kemi ndalur çmimet abuzive që i keni lejuar ju. Kemi shtuar shërbimet shëndetësore. Jemi duke kthyer shëndetësinë që ju me qeverisje të keqe ia morët popullit”.
Në fund, Ismaili i ka thënë Mustafës se “ka vetëm fjalë dhe kalkulime politike”.
“Në fakt, nuk keni pasur kurrë më shumë sesa kaq”, ka përfunduar ai.