Arbëri

Konfirmon Kryeministria: Qeveria s'e ka ndaluar hyrjen e zyrtarëve serbë në Kosovë

Descriptive Text

Qeveria e Kosovës nuk ka marrë vendim që u ndalon hyrjen në Kosovë të gjithë zyrtarëve nga Serbia, u konfirmua nga kabineti i kryeministrit Ramush Haradinaj.

Sqarimet vijnë një ditë pasi që Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës, përmes shefit të kabinetit të ministrit të Jashtëm, Jetlir Zyberaj, ka komunikuar lajmin për marrjen e vendimit për të mos lejuar hyrjen e zyrtarëve serbë në Kosovë.

Por, Donjeta Gashi, zëdhënëse e kryeministrit Ramush Haradinaj, tha shkurt për Radion Evropa e Lirë se “Qeveria e Kosovës nuk ka marrë një vendim të tillë”.

Të premten, edhe televizioni publik në Serbi citoi kryeministren serbe, Ana Bërnabiq, të ketë thënë se në Samitin e Vendeve të Ballkanit Perëndimor në Poznan të Polonisë ka dëgjuar nga kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, të ketë thënë se vendimi për ndalimin e hyrjes së zyrtarëve serbë në Kosovë është një “lajm i rremë”.

“Mua më habit se si lajmet e rreme në Prishtinë i përhapin këshilltarët e së ashtuquaturës Ministri e Punëve të Jashtme“, tha Bërnabiq.

Në anën tjetër, Zyberaj këmbënguli se lajmi nuk është i rremë.

“Vendimi për të mos lejuar hyrjen e zyrtarëve serbë në Kosovë për sa kohë që ata provokojnë tensione dhe vazhdojnë me propagandën dhe fushatën hibride ndaj vendit tonë, është në përputhje me politikën e qeverisë, të aplikuar që nga vendimi për vendosjen e tarifave tregtare kundër Serbisë, si vendim kombëtar për të mbrojtur interesat dhe sigurinë kombëtare të Kosovës dhe për të parandaluar veprime të mëtejshme agresive nga Serbia kundër Kosovës”, tha të premten për Radion Evropa e Lirë Zyberaj.

“Sjelljet agresive të Serbisë, duke inskenuar të ashtuquajturën krizë humanitare, duke arrestuar qytetarët e Kosovës, duke e kundërshtuar Kosovën ndërkombëtarisht dhe duke krijuar një fushatë të lajmeve dhe propagandës së rreme kundër Kosovës, të paparë më parë, duhet të ndalen”, tha Zyberaj.

Sipas tij, në momentin kur krijohen kushtet dhe Serbia tërhiqet nga “tensionet e inskenuara në Kosovë”, ky vendim do të hiqet.

“Topi është në anën e Serbisë për të vepruar si një fqinj konstruktiv. Shovinizmin e deklaratave te Bërnabiqit e njeh e tërë bota. Ajo është person ‘non grata’ në Kosovë”, tha Zyberaj.

Në lidhje me këto zhvillime, të enjten është prononcuar edhe zëdhënësja e Bashkimit Evropian, Maja Kocijançiç.

Ajo ka thënë se BE-ja pret që të dyja palët t’i respektojnë marrëveshjet tashmë të nënshkruara në kuadër të dialogut ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit në Bruksel, përfshirë edhe marrëveshjen për vizitat e zyrtarëve.

Ajo ka thënë se Brukseli është në kontakt me palët (Prishtinën dhe Beogradin) në lidhje me këtë vendim.