3 perditesime
00:16

Lekaj: Vendimet e Veselit janë partiake, dorëhiqem nëse si ministër më ngrihet aktakuzë

Duke folur për vendimin e të parit të PDK-së, Kadri Veseli, për largimin e ministrave me aktakuza, ministri Pal Lekaj ka thënë se vendimi i tij është partiak.

Sipas tij, të gjitha partitë i kanë vendimet e veta dhe me ato ballafaqohen me qytetarët.

Lekaj tutje ka shtuar se nëse i ngrihet aktakuzë si ministër aktual i Infrastrukturës, ai është i gatshëm të jap dorëheqje.

Lekaj thotë se nga aktakuza aktuale do të lirohet pasi që sipas tij, ajo ishte politike.

“Aktakuza ime është hudhur 60-70%, por sikur të më ngrihet aktakuzë tani si ministër asnjë minutë nuk do të qëndrojë në këtë pozitë”, ka shtuar ai.

Ai ka thënë se nuk ka informacion nëse është duke u hetuar për Ministrin e Infrastrukturës. Ai tutje shton se ka nënshkruar mbi 187 kontrata për dy vjet.

Duke folur për mocionin e mosbesimit, ai ka thënë se Qeverinë mund ta rrëzojë vetëm koalicioni qeverisës, e jo opozita.

Si të shkojmë në zgjedhje pa reformë zgjedhore.

“Këtë vit nuk do të ketë zgjedhje. Unë e ftoj opozitën që nëse i kanë 61 vota le të thërrasin mocionin. Neve nuk na bënë përshtypje pse shkojmë në shtëpi. Ne si Aleancë jemi dyfishuar, jemi diku te 16 për qind, por në disa sondazhe kemi dal edhe deri në 19 për qind. Lidershipi i Aleancës, kryetari Haradinaj është dukshëm lider i besueshëm”, ka thënë Lekaj.

Lekaj thotë se asnjëherë nuk është varur nga paga e politikës, pasi që sipas tij, ka trashëguar pasuri nga familja.

Ai tutje ka shtuar se kanë bërë marrëveshje për rrugën A dhe se shpejti do të fillojnë me shpalljen e interesit publik.

Ndërkaq për ndërtimin e objektit të ri qeveritarë ai ka thënë institucionet duhet të kenë objekte protokollare dhe se ndërtimi i tij do të shkojë me partneritet publiko-privat.

00:05

Lekaj: Autostrada e Dukagjinit do të kushtojë 560 milionë euro, pa shpronësime

Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, duke folur për autostradën e Dukagjinit ka thënë, kjo autostradë do të ketë 4000 persona të punësuar e që sipas tij, autostrada do të ketë impakt pozitiv në jetën e qytetarëve.

Ai ka shtuar se ajo do të jetë, 91 km e gjatë, ndërkaq do të kushtojë afërsisht 560 milionë euro pa shpronësim.

Sipas tij, shpronësimi është diku 40% e pronave private, pasi që sipas tij, kanë menduar të ruhet toka pjellore. Ai thotë se shpronësimi është me kritere dhe çmim të caktuar.

Lekaj ka thënë se janë duke punuar me dizajnin e projektit dhe sipas tij deri në fund të gushtit do të kryhet projekti, ndërkaq nga mesi i tetorit do të fillojnë procedurat.

“Unë nuk e di nëse Bechtel Enka do të fitojë prapë. Sa i përket huazimit, Kosova ka huazim publik shumë pak krahasuar me shtetet tjera”, ka shtuar ai.

Ai thotë se investimi në autostrada është i duhur për mirëqenien e qytetarëve.

Lekaj tutje ka shtuar se në takimet me qytetarët, ai merr përkrahje dhe kërkesa për asfaltim të mëtutjeshëm.

Lekaj ka konfirmuar se Bechtel & Enka-s i janë paguar 53 milionët e penalltisë, të kontestuara nga opozita e tanishme, veçmas nga LDK-ja që ka udhëhequr Ministrinë e Infrastrukturës në mandatin e kaluar.

“Po. Ne i kemi paguar me kohë, sipas zotimit dhe sipas kontratës. Nuk kemi më probleme me Bechtel Enka-n”, ka thënë Lekaj, teksa ka konfirmuar po ashtu edhe se konsorciumi është dënuar 11 milionë euro për vonesa në punë dhe dublifikime të disa punëve.

Ai ka treguar se kostoja e përgjithshme e kësaj autostradës “Arbën Xhaferi” kap shifrën e 640 milionë, pa shpronësime të cilat bien barrë e buxhetit të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor. Me to kostoja arrin në 800 milionë euro.

23:56

Për pagat e strukturave paralele, Lekaj fajëson vendimin e Qeverisë nga Marrëveshja e Brukselit

Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, ka thënë se i gëzohet raportit të Auditimit për vitin 2018, në krahasim me atë të një viti më parë.

“Ne kemi përmirësim të dukshëm në raport me vitin 2017. Kemi një ndryshim rrënjësor në menaxhimin e parasë publike. Megjithatë, kemi çështje të theksuara dhe ne menjëherë do t’i adresojë dhe do t’i eliminojmë”, ka thënë Lekaj, në Interaktiv të KTV-së.

Kur ka folur për 153 mijë euro të shpenzuara për disa persona të strukturave paralele në veri, Lekaj ka fajësuar një vendim qeveritar që buron nga Marrëveshja e Brukselit për shuarjen e strukturave paralele.

“Kjo është një marrëveshje që është bërë në Bruksel, që është bërë për marrjen në punë të disa qindra personave të strukturave paralele nëpër Ministri. Kur jam interesuar më kanë thënë se janë duke punuar në veri. Por kur kam pyetur tutje më kanë thënë se duhet pritur derisa të bëhen kushte për punë atje. Kanë qenë të gatshëm për të punuar në Ministri, po më janë lutur që të pritet deri sa të krijohen kushtet”, ka thënë Lekaj.

“Kjo është një dobësi e marrëveshjes. Ata në Ministri nuk kanë punuar. Me siguri se kryetari, meqë është përgjegjës për stafin civil është dashur të interesohet se a janë duke punuar diçka”, ka shtuar më tej ai.

Lekaj ka thënë se për këtë çështje, “duhet të marrë vendim Qeveria”.

“Nëse nuk punojnë të largohen prej punës ose të ftohen të punojnë edhe në Prishtinë, sepse tash kemi siguri të mjaftueshme dhe askush nuk i rrezikon nëse vijnë të punojnë”, ka thënë Lekaj, përcjell Koha.net. “Unë jam që për të zbatuar secilin vendim që e merr Qeveria”, ka shtuar ai.

Ai është pyetur edhe për vërejtjen tjetër të Auditorit, se një faturë për një rrugë, në vlerë prej 47 mijë eurosh, është paguar dy herë.

“Unë nuk kam njohuri. Duhet që ata që merren me certifikimin e faturave të përgjigjen. Nëse është bërë ndonjë shkelje, organet e drejtësisë duhet të merren me atë çështje”, ka thënë ai.

23:47

Lekaj: Jemi të gatshëm të heqim monopolin për homologim

Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, ka thënë se rezolutën për homologim të votuar nga deputetet e Kuvendit do ta shqyrtojë dhe do të nisë procedurat për ndryshim-plotësim të ligjit.

Ai në “Interaktiv” të KTV-së ka thënë se udhëzimi administrativ është derivat i ligjit që është votuar në vitin 2017. Sipas tij aty nuk përmendet monopoli.

“Sa i përket udhëzimit administrativ ai hapë rrugë, por mund të diskutojmë për kritere. Ne kemi menduar të nxjerrim një fizibilitet se sa kompani tjera i duhen Kosovës. Pas nxjerrjes së udhëzimit administrativ ne i jemi drejtuar Komisionit Evropian. Ne kemi pasur një raport të përbashkët dhe në atë raport në asnjë mënyrë nuk përmendet monopoli”, ka thënë ai.

Sipas tij aty janë dhënë disa konkluzione të cilat thonë se regjistrimi i mjeteve ka shkelje ligjore.

Ai thotë se duhet të ndryshohet kapitulli pestë i ligjit dhe disa nene të cilat nuk janë të parapara me direktivat e BE-së.

“Në bazë të Rezolutës së Kuvendit do të jem i gatshëm të fillojë procedurën për plotësim-ndryshim të ligjit dhe udhëzimit administrativ”, ka shtuar ai.

Ai ka thënë se është menduar që homologimi i automjeteve të bëhet në gjashtë qendra të Kosovës.

“Ne kemi ligje që nuk janë të harmonizuara me direktiva të BE-së dhe ne kemi riprodhuar aq shumë ligje sa duhet rishikuar. Edhe pse ne nuk e kemi sponsorizuar këtë ligj ne nuk do ta hedhim fajin askujt”, ka thënë ai.

Lekaj thotë se në fillim të gushtit do të fillojnë procedurat e ndryshimit administrativ dhe diku në shtator ta procedojnë ligjin në Kuvend.

Ai thotë se Nebih Shatri si sekretar ka pasur detyrë të formojë komisionin, derisa shton se nuk është në dijeni nëse ka marrë para nga Kompania ‘Euro Lab’.

“Atë ditë kur kam raportuar në komision më kanë pyetur se a kam marrë para. Unë nuk e di nëse Shatri është paguar, nëse ka pasur konflikt interesi unë i ftoj organet të nxjerrin drejtësinë”, thotë ai.

Duke folur për homologimin e veturave të reja, ai ka thënë se nuk janë të anëtarësuar në BE dhe nëse nuk e bëjnë këtë homologim, Kosova do të bëhet varr masiv i veturave.