Arbëri

Haradinaj për KoSSev-in: Shteti i Kosovës ekziston, këtë duhet ta kuptojë Serbia

Foto: Koha

Prishtinë, 4 korrik - Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj i deklaroi portalit kosovar në gjuhën serbe, KoSSev, se vazhdon të jetë besnik i qëndrimit se nuk ka heqje të taksës ndaj mallrave me origjinë nga Serbia, e as vazhdim dialogu pa njohjen e Kosovës nga Serbia, transmeton Koha.net.

"Ne ekzistojmë, ekziston Kosova, ajo është shtet dhe Serbia duhet të gjejë atë guxim që të pranojë se një fqinj i saj i cili ka një të kaluar tragjike për shkak të zotërisë (Sllobodan) Millosheviq dhe regjimit, të ofrojë njohjen ndërkombëtare, tregtinë e lirë. Nuk mund të shesësh me forcë te ne. Me forcë nuk mund të shesë në Kosovë as Serbia, e as ndokush tjetër. Nëse nuk kemi marrëdhënie politike, nuk do të kemi as marrëdhënie ekonomike", është shprehur Haradinaj në intervistën dhënë KoSSev-it, transmeton Koha.net.

Ai ka thënë edhe pala kosovare nuk pret nga Serbia kurrfarë shërbimesh, por edhe se është i ndërgjegjshëm për disponimin e popullatës në veri.

"Kemi blerë mallin serb në Kosovë gjatë njëzet vjetëve. Nuk i vjen keq Vuçiqit dhe Serbisë se si e trajtojnë Kosovën ku shesin mallin e tyre njëzet vjet, bëhet fjalë për më shumë se një miliard euro në vit. E tash, nëse duam zgjidhje, ka zgjidhje - njohja e Kosovës... Kosova është e gatshme për disa raporte të reja me Serbinë, por kjo vjen bashkë me njohjen", ka thënë Haradinaj. Ai ka folur edhe në lidhje me dialogun me Serbinë, dhe siç citohet të ketë thënë "për vazhdim duhet kornizë e re". "Ne kërkojmë kornizë të dialogut, ndërsa korniza është të ulemi (të bisedojmë) për njohjen", është shprehur kryeministri, transmeton Koha.net.

Ai po ashtu ka thënë se e kupton se për shumë serbë të Kosovës "Serbia është ndoshta dashuria e parë", megjithatë "respektimi i shtëpisë tënde, Kosovës e të afërmve, unë do të thosha edhe shtetit, meqë Kosova nuk është shtet vetëm i shqiptarëve, Kosova është shtet edhe i serbëve që jetojnë në të dhe është shtëpi e jona e përbashkët. Dhe e gjithë të tjerëve - kjo do të ishte zgjidhja, do të thosha, për hallet tona", ka thënë Haradinaj.

I pyetur nëse është i gatshëm të shpengojë dialogun me Beogradin, Haradinaj ka thënë se është i gatshëm "për njohje të ndërsjellë ndërkombëtare me Serbinë".

"Kjo është zgjidhja, nuk duhet t'i ikim të vërtetës... Ky është kompromisi. Ju e dini çfarë sakrificash ka bërë Kosova dhe Kosova është e gatshme për njohje dhe për raporte të reja dhe ja të kapërcejmë ato që kanë ndodhur në të kaluarën", është shprehur kryeministri Haradinaj.