Partia Demokratike është duke mbledhur fakte dhe prova për ta goditur ligjërisht procesin zgjedhor të 30 qershorit në Shqipëri.
Pavarësisht se jashtë qendrave të votimit dhe sallave të numërimit demokratët kanë pasur mundësi të mbledhin mjaftueshëm prova për të kërkuar ligjërisht rrëzimin e procesit, ende nuk ka një vendimmarrje konkrete për mënyrën se si do të goditet rezultati final i zgjedhjeve. Por të gjitha degët e PD-së janë duke punuar për të faktuar se ky proces ka qenë i gjithi një farsë.
Edhe kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, foli për manipulime të rënda të procesit të 30 qershorit, ku për ironi socialistët në më shumë se gjysmën e bashkive ishin të vetëm në garë. Duke iu referuar raportit paraprak të OSBE/ODIHR-it, Basha theksoi se qartësisht u pranua se zgjedhjet ishin të vetëvjedhura. “Edhe pse shumë i kujdesshëm për të mos e acaruar klimën politike, raporti i ODIHR-it i rrëzoi votimet e 30 qershorit. Jo vetëm zgjedhje të paligjshme, jo vetëm zgjedhje njëpartiake, por edhe zgjedhje te vetëvjedhura. Edi Rama kandidoi vetë, votoi vetë, numëroi vetë dhe prapë manipuloi. Ky regjim është tashmë i degraduar plotësisht. Vetëm një ndryshim i thellë i strukturës politike, kushtetuese dhe ekonomike të vendit mund të na shpëtojë nga autokracia, krimi, varfëria dhe prapambetja”, deklaroi Basha. Kryetari i PD-së ka bërë të qartë se opozita nuk do të tërhiqet nga qëndrimet e saj për largimin e Edi Ramës dhe dërgimin para drejtësisë të të gjithë atyre që kanë blerë zgjedhjet.
Garancinë se procesi i 30 qershorit ishte një farsë dhe nuk do të njihet, Lulzim Basha ua dha edhe kryebashkiakëve të djathtë në një takim që zhvilloi dje në selinë blu. Edhe gjatë këtij takimi, Basha ka folur për një proces të rrëzuar moralisht dhe ligjërisht. Kryedemokrati ka kërkuar qetësi nga drejtuesit e tij vendorë dhe ka konfirmuar se ditët e javët e ardhshme do të sjellin ndryshime të forta politike. Gjatë takimit, disa prej kryebashkiakëve demokratë kanë deklaruar se nëse KQZ do të certifikojë rezultatin e 30 qershorit, zyrat nuk do të lëshohen, pasi të zgjedhurit e rinj nuk përfaqësojnë vullnetin e qytetarëve shqiptarë. Një qëndrim të tillë, kryebashkiaku i Kamzës, Xhelal Mziu, e bëri publik edhe në përfundim të mbledhjes.
“Asnjë shans nuk ka për të lëshuar zyrën. Ju e patë raportin e OSBE/ODIHR-it, që fliste për shkelje të ligjit dhe shkeljet ishin të paligjshme. Kështu që, shihemi në 13 tetor dhe do ta shihni se si do ta mund kundërshtarin”, deklaroi Mziu, duke sqaruar se qëndrimi i tij është personal. Në mbledhje është diskutuar edhe pjesëmarrja në zgjedhje e qytetarëve në bashkitë e drejtuara nga e djathta. Në bazë të rezultateve të marra, kryebashkiakët e djathtë gëzojnë të drejtën e rikandidimit nëse procesi i zgjedhjeve do të ripërsëritet. Një vendim final mbi sjelljen që do të mbajnë 15 kryebashkiakët e djathtë pritet që Basha ta marrë sot, në një tjetër takim që do të zhvillojë me ta në selinë blu/Panorama.