Haxhiu: Ekipi Negociator të kthejë çdo mjet të shpenzuar, ndryshe të japë përgjegjësi penale Foto: Koha

Haxhiu: Ekipi Negociator të kthejë çdo mjet të shpenzuar, ndryshe të japë përgjegjësi penale

29 June 2019 13:09

Ndarja e 300 mijë eurove nga Qeveria e Kosovës për Ekipin Negociator për dialogun me Serbinë, të cilin Gjykata Kushtetuese e shpalli antikushtetues është bërë pa asnjë bazë ligjore. Kështu thotë deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, e cila thotë se këta të fundit duhet të japin përgjegjësi penale ose t'i kthejnë mjetet e shpenzuara në buxhetin e Kosovës.

Kritika ka adresuar për kryetarin e Prishtinës, Shpend Ahmeti, për të cilin thotë se duhet të japë dorëheqje nga kjo pozitë, pasi ka tradhtuar vullnetin e qytetarëve të kryeqytetit.

Deputetja e VV-së i sheh zgjedhjet si të vetmen alternativë për të dalë nga situata në të cilën ndodhet Kosova.

“Këtu nuk ka pasur ligj, sepse ligji ka qenë duke u kontestuar. Qeveria ka bërë shkelje me ndarjen e atyre mjeteve, por tash ne nuk jemi në dijeni sesa prej asaj shifre e kanë shpenzuar. Për këtë, do të duhej që menjëherë, qysh sot të dalin dhe të bëjnë transparente shumën që e kanë shpenzuar, qoftë si ekip në këto vizita, hotelet, meditjet etj., qoftë edhe militanëtët partiakë që këta persona i kanë angazhuar kinse si ekspert. Do me thënë, këta ose duhet të japin përgjegjësi penale për secilin shpenzim apo për secilin cent që e kanë shpenzuar, ose duhet t'i kthejnë cent për cent buxhetit të Republikës të Kosovës, të gjitha paratë që i kanë shpenzuar në mënyrë të paligjshme dhe arbitrare", thotë ajo.

Ajo sqaron edhe atë që sipas saj, tregon vendimi i Gjykatës Kushtetuese.

"Gjykata Kushtetuese na ka treguar që presidenti nuk e ka mandatin për të udhëhequr politikën e jashtme dhe për të përfaqësuar Kosovën në dialogun me Serbinë. Pra, gjatë gjithë kësaj kohe, presidenti Thaçi ka qenë në shkelje kushtutuese dhe e dyta, ekipi negociator është një organ mbi Kuvendin, mbi qeverinë, dhe kjo është një shkelje flagrante e kompetencave të Kuvendit dhe të Qeverisë", thekson ajo.

Duke komentuar deklaratat e bashkëkryesuesit të ekipit negociator, Shpend Ahmeti, i cili pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese ka deklaruar se do të japë dorëheqje nga ky post, Haxhiu shprehet se pozicioni i tij në këtë rast është inekzistent. Madje ajo shton se Ahmeti duhet të japë dorëheqje nga pozita e të parit të Prishtinës, pasi ka tradhtuar besimin e qytetarëve.

"Dorëheqja mund të ndodhë kur tashmë e ke një pozicion të caktuar, por jo kur ai pozicion është inekzistent, siç ka qenë roli i bashkëkryesuesit. Prandaj, nuk ka pasur nevojë që të japë dorëheqje nga ky ekip është joekzistent... Dorëheqje do të duhej Shpend Ahmeti të jap nga kryetari i Prishtinës, për shkak që ka tradhtuar vullnetin e qytetarëve të Prishtinës. Por ai nuk e bënë atë, sepse e di që më as nuk do të fitojë, e besa besoj se as nuk do të kandidojë. Dorëheqja ka qenë një deklaratë qesharake se s'ka prej çka tërhiqet", thotë Haxhiu.

Në këto rrethana, Haxhiu përsërit se zgjidhja e vetme janë zgjedhjet e jashtëzakonshme.

"Ne jemi për dorëzim të mocionit. Këtu LDK-ja ka një mendim ndryshe, që nuk duhet të procedohen nënshkrimet pa i pasur 61 nënshkrime. Unë mendoj se është kohë e humbur nëse do të presim një listë prej 61 nënshkrimeve. Duket që është goxha vështirë e arritshme. Më mirë ta procedojmë në Kuvend mocionin me 58 nënshkrime sa i kemi dhe pastaj shohim se si do të votojnë deputetët", deklaron ajo.

Ndryshe, në njoftimin e Gjykatës Kushtetuese thuhet se delegacioni shtetëror, i cili është themeluar me ligjin e kontestuar, nuk është i paraparë me Kushtetutë dhe nuk është i paraparë brenda formës së qeverisjes dhe ndarjes së pushtetit.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme