4 perditesime
17:09

Debati për homologimin përfundon pa asnjë vendim

Përkundër debatit me orë të tëra, deputetët e Kuvendit të Kosovës nuk kanë arritur të marrin një vendim në seancën e jashtëzakonshme për monopolin në homologim.

Kjo ka ndodhur për shkak se nuk u votuan propozimet e iniciuesit të kësaj seance të jashtëzakonshme, deputetit të LDK-së Lutfi Zharku.

Ai kërkoi që të shfuqizohet udhëzimi administrativ për procedurën për homologim dhe të hyjë në fuqi një udhëzim i ri administrativ.

Ndërsa theksoi se deri në fund të vitit të liberalizohet tregu i homologimit të automjeteve dhe sipas tij, urgjent duhet të merren masa për ndryshime legjislative që të ndërrohen monopolet.

Pas deklaratës së tij, seanca e jashtëzakonshme është mbyllur, pasi nuk pati kuorum për vendimmarrje./ksp/

13:40

Kuvendi në pauzë

Pas shumë diskutimesh e përplasjeve, Kuvendi ka hyrë në pauzë.

Seanca do të vazhdojë në orën 15:00.

12:53

Deputetët njëzëri kundër monopolit në homologim

Akuza e kundërakuza ka pasur në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit për heqjen e monopolit të homologimit, edhe pse të gjithë deputetët janë deklaruar kundër monopolit.

Edhe pse aty s’po merr pjesë vetë ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, deputetët kanë kërkuar që të mundësohet tregtia e lirë dhe të hiqet monopoli.

Pas tri kërkesave të opozitës, të paraqitura nga deputeti i LDK-së, Lutfi Zharku, i pari që foli ishte shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Memli Krasniqi. Ai tha se PDK-ja kërkon konkurrencë të lirë, fer e lokale.

“Sikur të kishim vullnetin që këtë seancë ta bënim bashkë nuk do të rrezikonim atë që me dyshim e kam thënë edhe në mbledhje të Komisionit, që kjo temë të rrëshqasë edhe një herë si një temë politike dhe jo një temë e karakterit kryesisht ekonomike që ndërlidhet me konkurrencën. Po shpresoj që nuk ka qenë ky qëllimi, por ashtu edhe po duket. E dyta më vjen keq, që duhet ta them, që nuk kemi përfaqësues të qeverisë sot këtu, sepse ne po diskutojmë për një çështje që legjislacioni i ka bërë kompetencë qeverisë dhe së paku në këto raste, ne do të duhet të kishim personat përgjegjës për të pasur edhe imputet nga ana e tyre ose perspektivën nga an a tyre. PDK, është fuqishëm pro ekonomisë së tregut të lirë, kjo buron prej konceptit tonë ideologjik si parti e qendrës së djathtë”, theksoi Krasniqi.

Shefi i GP të PDK-së, tha se çështja e homologimit është e vjetër dhe është diskutuar herë pas herë ndër vite dhe ndër legjislatura.

Krasniqi tha se na takimin e fundit në komision parlamentar, ka kërkuar nga ministri I MI-së Pal Lekaj që të bëhen ndryshimet e Udhëzimit në mënyrë që të krijohet hapësira për treg të hapur, sepse nuk është normale për një veturë të re që importohet në Kosovë prej BE-së me iu nënshtruar një procesi të verifikimit në Kosovë.

Në anën tjetër, shefi i Grupit Parlamentar të VV-së, Glauk Konjufca, ka akuzuar Lekajn për vazhdim të homologimit për “EuroLabin”.

Sipas tij, me homologimin janë bërë dy krime të mëdha, krimin e parë e lidhi me vitin 2008 kur ish-ministri Fatmir Limaj kishte nxjerrë udhëzimin administrativ që mundësoi monopolin dhe kur Pal Lekaj ia siguroi vazhdimësinë.

“Ministri Lekaj nuk mund të fshihet duke thënë që e kanë konsultuar çdo autoritet profesional dhe askush nuk ka dërguar vërejtje apo sugjerime. Unë me qëllim i mora këtë dokumentin 22 faqe nga fakulteti i inxhinierisë mekanike të Universitetit të Prishtinës. Ata kanë bërë vërejtje shumë profesionale ndaj Udhëzimit Administrativ të Pal Lekajt dhe prej të gjitha vërejtjeve që unë i lexova me vëmendje, konstatojnë një letër ankesë që asnjëra prej vërejtjeve dhe sugjerimeve të tyre nuk është marrë në konsideratë nga ministri Lekaj, sidomos për nenin(7.4) më problematik i cili është ajo esenca e garantimit të monopolit... aty ku formulohet e zeza mbi të bardhë, formulimi i monopolit lidhur me shfrytëzimin mesatar të kapaciteteve prej 85 për qind”, thekson Konjufca.

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Ahmet Isufi, deklaroi se ky ligj ishte bërë nga legjislaturat e shkuara dhe shtoi se janë kundër monopolit e që homologimit t’i nënshtrohen edhe veturat e reja.

Ai tha se ministri aktual Pal Lekaj s’është përgjegjës për gjendjen në këtë shërbim.

“U përmend këtu disa herë Pal Lekaj. Pal Lekaj nuk është krijues i kësaj situate, krijues të kësaj situate që nga viti 2008 janë partitë që kanë qenë në pushtet. Më së paku kanë të drejtë të flasin ata të cilët kanë ushtruar autoritetin ku kanë pasur përgjegjësi institucionale sikur ministri I Infrastrukturës dhe nuk I kanë bërë ndryshimet… Po ashtu në vitin 2017 ne patëm ligjin për automjete që në fakt i lejon ose i mundëson fushë veprimtarinë kësaj kompanie e cila ende më tutje është në angazhim”, deklaroi Isufi.

Deputeti Isufi vlerësoi se çmimet për shërbimet e homologimit janë më të larta se në disa vende të BE-së, për të cilat tha se duhet veprohet që të ndryshohet kjo gjendje.

Seanca po vazhdon me deklarimet e deputetëve të tjerë.

11:11

Tri kërkesat e opozitës për demonopolizimin e homologimit

Deputeti i LDK-së, Lutfi Zharku, në hapjen e seancës së jashtëzakonshme për heqjen e monopolit lidhur me shërbimin e homologimit të veturave, ka treguar tri kërkesat e opozitës për të demonopolizuar këtë treg.

Ai ka thënë se si pikë e parë duhet votuar shfuqizimi i menjëhershëm i udhëzimit që i pati dhënë monopolin në homologia EuroLabit.

Për pikë të dytë ai ka propozuar që për dy muaj duhet të hyjë në fuqi udhëzimi i ri administrativ.

Ndërsa deri në fund të vitit ka thënë se duhet të liberalizohet plotësisht tregu i homologimit.

08:07

Sot seancë e jashtëzakonshme për homologimin e veturave

Më kërkesë të Lëvizjes Vetëvendosje sot deputetët e Kuvendit të Kosovës do të mblidhen sërish në një seancë të jashtëzakonshme me të vetmen pikë të rendit të ditës që është “Heqja e monopolit lidhur me shërbimin e homologimit të veturave”.

"Siç është në dijeni dhe opinioni i gjerë Qeveria dhe Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit nuk po merr masa për ta ndalë këtë monopol të dëmshëm që ka filluar prej vitit 2009 dhe po tentohet që të vazhdohet edhe më tej”, thuhej në arsyetimin e VV-së për këtë seancë.

Çështja e homologimit ka qenë pikë diskutimi edhe në Komisionin për Zhvillim Ekonomik që u mbajt ditë më parë. Madje aty pati edhe debate mes ministrit të Infrastrukturës, Pal Lekaj dhe deputetit nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca.

Lekaj para komisionit deklaroi se se Ligji për Automjete ia mundëson kompanisë “EuroLab” që të posedojë licencën për periudhë të pacaktuar. Sipas tij, tregu do të hapet dhe nuk do të ketë monopol. Por, nuk ka mundur të jap një afat se kur mund të ndodhë kjo.

Kritika për ligjin kanë dhënë edhe deputetë të tjerë opozitarë.