3 perditesime
21:30

Osmani komenton rrahjet në LDK, thotë se ka tejkaluar polemikat me Hazirin

Deputetja e LDK-së, Vjosa Osmani, ka thënë se rrahjet në zgjedhjet në disa nëndegë të LDK-së, e kanë dëmtuar partinë dhe se ato nuk i duhen askujt në parti.

Sipas saj, përgjegjësinë kryesore për këto incidente e ka vetë partia, ndërsa ka thënë se janë raste të izoluara.

“Është për keqardhje dhe vështirë të shpjegohen. Varet nga degët, por ka shumë arsye. E arsyetojmë me hyrjen e anëtarëve të partive tjera, por përgjegjësinë primare e kemi ne. S’mund të ikim nga përgjegjësia pse situata të tilla po ndodhin. Nganjëherë vlon gjaku kur ke njerëz me vullnet për ndryshime e ka njerëz që kanë punuar aty qe 50 vjet dhe i kanë ruajtur vlerat”, ka thënë ajo.

Sipas Osmanit, problemet e tilla nuk i duhen LDK-së, “sepse nëse shkojmë te humbja, nuk i duhet askujt as dega e as nëndega”.

Ajo ka thënë se nuk sheh rrezik të ndarjes së LDK-së, siç ishte bërë vjet më parë.

Osmani ka folur edhe për polemikat që kishte pasur në të kaluarën me nënkryetarin e LDK-së, Lutfi Haziri. Pas përplasjeve në rrjete sociale pas diskutimeve për idenë e shkëmbimit të territoreve me Serbinë, Osmani në Rubikon ka thënë se i kanë tejkaluar të gjitha polemikat.

“Jam shumë krenare që jam nuse e Preshevës e bijë e Mitrovicës, por përtej këtyre jam deputete. Detyrë parësore e imja është të mbroj betimin për sovranitet të vendit. Kanë qenë keqkuptime që i kemi tejkaluar. Janë diskutuar e tejkaluar. Reagime të momentit. Asnjë lidhje me kandidaturat në LDK ajo polemikë s’ka pas. Është lidhur me qëndrimet tona për ndryshimin e kufijve. Pos që është tejkaluar, fakti që edhe Haziri ka thënë se respekton vendimin e Këshillit të Përgjithshëm ka kontribuar që të tejkalohet”, ka deklaruar më tej ajo.

Osmani ka thënë se nuk mund të vendosë të kandidojë për kryetare të LDK-së në këtë fazë, duke shtuar se pranon çdo rezultat “nëse gara është fer, demokratike dhe pa presione”.

Nëse lihet jashtë strukturave të partisë, Osmani ka thënë se nuk e sheh veten në ndonjë parti tjetër.

Sipas saj, nuk duhet të lidhet me moshën puna e kryetarit të partisë, “por trupi më i madh i votuesve në Kosovë janë të rinjtë dhe rinia duhet patjetër të përfaqësohet”.

20:49

S’ka siguri se liberalizimi ndodh sivjet, thotë Osmani

Deputetja e LDK-së, Vjosa Osmani, ka thënë se nuk ka siguri se liberalizimi i vizave do të ndodhë sivjet edhe pse liderët shtetërorë “ua kanë bërë për hair qytetarëve”.

Ajo ka thënë se pret përkrahje nga Gjermania, ndërsa për Francën ka thënë se Kosova duhet të përmbushë në kohë rekorde disa kërkesa që të mos ketë argumente kundër.

Teksa ka thënë se nga Holanda s’pret përkrahje, Osmani ka shtuar se gjithçka varet edhe nga një lloj marketingu që e bën Kosova.

“Ka paqartësi dhe përderisa në Gjermani ka disa hapa pozitivë dhe këtë e kemi vërejtur nga takime të shumta që kemi pasur atje. Përkundër argumentimeve të shumta që kam tentuar të bëj që të gjitha kriteret janë plotësuar, që ne po ndëshkohemi për gabimet e shteteve të tjera, Franca ka insistuar që kanë dërguar kërkesat te Ministria e Brendshme dhe se përgjigjet që do të marrin nga ato kërkesa të dërguara do të jenë bazë”, ka deklaruar ajo teksa ka shtuar se s’ka arsye që MPB-ja të mos plotësojë në kohë rekorde këto kërkesa.

“Nga Holanda nuk mund të them që mund të presim përkrahje. Meqë kërkohen 2/3, atëherë nëse Franca e Gjermania do të në përkrahnin, do të ishte shumë më e lehtë. Nuk ka asnjë siguri se do të ndodh këtë vit. Përkundër kritereve, gjithçka varet edhe sa është Kosova efektive me një lloj marketingu”, ka thënë më tej Osmani.

20:33

Osmani: Pakënaqësitë brenda koalicionit qeverisës, momentum i mirë për opozitën që ta rrëzojë Qeverinë

Sipas deputetes së LDK-së Vjosa Osmani, pakënaqësitë brenda koalicionit qeverisës janë më të mëdha se që kanë qenë më herët dhe ky është momentum i qëlluar që të shihet mundësia për të rrëzuar Qeverinë Haradinaj.

Ajo ka thënë se opozita tashmë ka 58 vota për ta rrëzuar Qeverinë.

“Është çështje muajsh, ne jemi te ai 58-shi i votave. Nënshkrimet i kemi mbledhur ne, i ka mbledhur VV. Në njërën nga seancat i ka sjell edhe PSD-ja. Janë nënshkrimet e deputetëve të LDK-së, VV-së dhe PSD-së”.

“Në qoftë se dështojmë atëherë kjo nuk do të ishte veç shtyrje për neve, por edhe njëfarë fuqizimi i qeverisë. Mendoj që tash është një momentum tjetër sepse pakënaqësitë brenda koalicionit janë më të mëdha se që kanë qenë. Momentumi është i qëlluar për ta diskutuar këtë punë mirëpo nuk mund ta hedhim në votim pa qenë të sigurt për këtë proces”, ka shtuar ajo.

Ajo ka paralajmëruar se koha e fundit për të rrëzuar qeverinë do të jetë vjeshta e këtij viti, nëse nuk ndodh ndonjë lëvizje tjetër gjatë verës.

20:13

Osmani: Ideja për kufijtë s’është mbyllur përderisa aty janë Thaçi e Vuçiqi

Deputetja e LDK-së, Vjosa Osmani, ka thënë se ideja për negocim për kufijtë mes Kosovës e Serbisë nuk është mbyllur plotësisht përderisa në këtë proces janë presidenti i Kosovës Hashim Thaçi e ai i Serbisë Aleksandar Vuçiq.

Në Rubikon të KTV-së, ajo ka thënë se me rëndësi të madhe për të ardhmen e dialogut do të jetë edhe pasuesi i Federica Mogherinit si ndërmjetësuese.

“Nuk është mbyllur tërësisht ideja për kufijtë përderisa në anën e Kosovës i involvuar në dialog është presidenti Thaçi dhe në anën tjetër presidenti Vuçiq, të dy këta që besojnë në këtë ide”, ka thënë Osmani, teksa e ka quajtur idenë të shekullit të kaluar.

“Megjithatë edhe pse nuk mund të jemi të sigurt që kjo temë është larguar 100 për qind nga tavolina, ka shumë rëndësi se kush do të jetë ndërmjetësuesi nga BE ndërsa nga Kosova kjo do të duhej të bëhej përmes zgjedhjeve të lira”, ka shtuar ajo.

Sipas Osmanit, këtij procesi duhet t’i bëhet një “reset”.

Osmani e ka quajtur takim të fshehtë atë të ekipeve teknike javën e shkuar.

Ajo ka thënë se nuk pajtohet as me dërgimin e Avni ARifit në takimin e procesit të dialogut.

Ajo ka thënë se kryeministri Haradinaj s’duhet të krekoset se me tetë deputetë ka mundur ta ndalë idenë e Thaçit.

“Ky është një gabim i madh sepse ai me tetë deputet nuk mund të çojë përpara asgjë dhe nuk mund të ndalojë asgjë e nuk do të duhej të krekoset se me tetë deputetë mund të ndalë diçka”, ka thënë Osmani.

Sipas saj, pa qëndrueshmërinë e LDK-së, si partia më e madhe opozitare në vend, nuk do të mund të ndalej procesi i shkëmbimit të territoreve.