Arbëri

Kosova ka shfrytëzuar mbi 300 milionë euro nga fondet IPA

Foto: Driton Paçarada / Koha Ditore

Kosova është përfituesja më e madhe për kokë banori në rajon e fondeve të Instrumentit të Para-Anëtarësimit i njohur si IPA, thonë në Qeverinë e Kosovës. Ndërkohë që përfaqësues të shoqërisë civile kritikojnë institucionet për humbjen e disa fondeve.

IPA është një instrument financiar i Bashkimit Evropian që ka për synim të ndihmojë vendet që janë në procesin e anëtarësimit në BE.

Ministrja e Integrimit Evropian në Qeverinë e Kosovës, Dhurata Hoxha, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë thotë se vetëm gjatë viteve 2017–2020, Kosova ka arritur dhe do t’i shfrytëzojë më shumë se 300 milionë euro nga fondet IPA.

“Fondet IPA duhet të shikohen nga viti në vit dhe mund të themi se ka pasur rritje. Në vitin 2017 kanë qenë mbi 70 milionë, ndërsa në vitet 2018–2019 dhe 2020 janë respektivisht nga 100 milionë euro. Kosova për kokë banori është pranuesja më e madhe e fondeve të Bashkimit Evropian pas Palestinës, ndërsa në rajon jemi pranuesja më e madhe e fondeve IPA”, thekson Hoxha.

Megjithatë, mjaft kritik janë përfaqësuesit e shoqërisë civile të cilët konsiderojnë se Kosova po humb disa nga Fondet e IPA-së.

Albana Rexha, hulumtuese e lartë në Grupi për Studime Juridike dhe Politike në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, thotë se Qeveria e Kosovës po i humb këto fonde për shkak të neglizhencës dhe mosrealizmit të reformave të cilat dalin nga Marrëveshja e Stabilizim Asocimit (MSA) dhe Agjenda për Reformave Evropiane (ERA).

Të plotë mund ta lexoni në Radio Evropa e Lirë