Arbëri

Zëvendës i Rakiqit në Mitrovicën veriore, kryetar i Mitrovicës në sistemin e Serbisë

Foto: Koha

Goran Rakiqi mbrëmë ka bërë betimin si kryetari i ri - i vjetër - i Mitrovicës veriore.

Njëkohësisht betimin e kanë bërë edhe tre kryetarët e tri komunave të tjera me shumicë serbe në veri të Kosovës: në Zubin Potok , Leposaviq e Zveçan, përcjell Kossev.

Pas betimit, Rakiqi e ka emëruar zëvendës të vetin Aleksandar Spiriqin, i cili është kryetar i komunës së Mitrovicës në sistemin paralel të Serbisë në Kosovë, transmeton Koha. net.

Rakiqi, pas mbledhjes solemne, tha se të gjitha vendimet që kanë të bëjnë me popullin serb do t’i marrë në konsultë me shtetin Serbisë dhe me presidentin saj Aleksandar Vuçiq.

Në betim kanë marrë pjesë edhe përfaqësues të Bashkim it Evropian dhe të KFOR-it, ndërsa nuk tregohet se para cilave simbole shtetërore, të Kosovës a të Serbisë, është bërë betimi.

Zgjedhjet për kryetarë të komunave në veri janë mbajtur më 19 maj.

Në të gjitha komunat veriore me shumicë serbe, kryetarë janë zgjedhur ata që kishin dhënë dorëheqje nga nëntori i vitit të shkuar pas vënies së taksës së Kosovës 100 për qind për mallrat e Serbisë.