Arbëri

Kocijançiç për Koha.net: Taksa ka bllokuar edhe dialogun, edhe rrugën evropiane të Kosovës

Prishtina e Beogradi duhet të kthehen sa më shpejtë në tryezën e dialogut dhe të arrijnë një marrëveshje gjithëpërfshirëse të ligjshme, që nënkupton normalizimin e plotë të marrëdhënieve mes dy vendeve. Kështu tha Maja Kocijançiç në një përgjigje për Koha.net, duke shtuar se përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, kërkon patjetër që të dy vendet të nisin diskutimet thelbësore.

“Prishtina dhe Beogradi duhet të kthehen në tryezën e dialogut dhe të ecin përpara me një marrëveshje gjithëpërfshirëse të ligjshme, që do të normalizonte në mënyrë të plotë marrëdhëniet mes tyre. Kjo do të ishte mënyra më e mirë për të garantuar që i gjithë rajoni të përfitojë nga ky pajtim, e kjo do të thotë përfitim nga integrimi rajonal dhe zhvillimi ekonomik në rajon”, tha Kocijançiç.

Zëdhënësja e përfaqësueses së lartë të BE-së, Kocijaçiç, në një përgjigje për Koha.net tha se BE-ja edhe një herë, së bashku me të gjitha shtetet anëtare dhe SHBA-në, i bëjnë thirrje Qeverisë së Kosovës që ta pezullojë taksën dhe të rifillojë dialogun.

“Nuk ka alternativë tjetër për rifillimin e shpejtë të dialogut ndërmjet palëve. Taksa jo vetëm që është arsye e bllokimit të dialogut, por edhe arsye e bllokimit drejt rrugës evropiane të Kosovës”, tha tutje ajo.

Shtoi gjithashtu se edhe Serbia duhet të kryej pjesën e saj, përfshirë këtu edhe marrëdhëniet e saja ndërkombëtare, për të hapur rrugën e një dialogu të favorshëm.

“Të kujtoj edhe njëherë, ashtu siç ka thënë edhe Mogherini, se përfundimi i procesit të normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë është urgjente, sepse situata e tanishme jo vetëm që nxit paqëndrueshmërinë, por do të thotë edhe mundësi humbjeje. Do të thotë humbje e investimeve të huaja për të dy vendet. Rritja ekonomike varet nga besimi i investitorëve, besimi në të ardhmen, besimi në marrëdhëniet e mira fqinjësore, besimi tek autoritetet publike duke u fokusuar në klimën e biznesit dhe duke e kthyer faqen e trashëgimisë të së kaluarës”, tha Kocijaçiç për Koha.net.

E pyetur edhe për qëndrimin e Mogherinit sa i përket Samitit të Parisit, i cili pritet të mbahet në muajin korrik, por për të cilin ka mëdyshje për rezultate, Kocijançiç tha se takimi në Berlin, e edhe ai në Paris, mund të jenë takime që japin mundësi të mira për rajonin e që, në fakt, janë në interes edhe të Bashkimit Evropian.

“Ne mirëpresim çdo angazhim që bëhet, sidomos në mbështetje të dialogut të lehtësuar nga BE-ja. Me dialogun e lehtësuar nga BE-ja, Beogradi dhe Prishtina kanë vendosur të lënë mënjanë mosmarrëveshjet e tyre dhe të kërkojnë zgjidhje të qëndrueshme”, tha Kocijançiç duke mos komentuar më tepër takimin e ardhshëm në Samitin e Parisit.

Kujtojmë se Kosova ka nisur përgatitjet për takimin e Parisit që mbahet më 1 korrik, si vazhdimësi e Samitit të Berlinit. Aty, kësaj radhe temë do të jetë dialogu Kosovë-Serbi, ku parashihen përpjekje për të arritur një marrëveshje përfundimtare ndërmjet dy vendeve. Ndonëse akoma nuk ka një draft të shkruar për një marrëveshje eventuale, edhe në Prishtinë edhe në Beograd janë skeptikë, nëse takimi i Parisit mund të rezultojë me ndonjë marrëveshje, për shkak se palët kanë qëndrime diametralisht të kundërta.

Në takimin e Parisit më 1 korrik, nikoqirë janë presidenti francez Emmanuel Macron dhe kancelarja gjermane Angela Merkel.

Aty do të marrin pjesë edhe presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, kryeministri Ramush Haradinaj, kryeparlamentari Kadri Veseli, ministri i Punëve të Jashtme Behgjet Pacolli, Ekipi Negociator me Shpend Ahmetin e Fatmir Limajn si dhe presidenti serb Aleksandër Vuçiq me ekipin e tij.

Ditë më parë, Qeveria e Kosovës tha se Samiti i Parisit edhe mund të dështojë, por jo për fajin e Kosovës, por pasi Serbia e ka kushtëzuar vazhdimin e dialogut me heqjen e taksës, ndonëse ka thënë se Kosova është më se e gatshme për këtë takim.

Në anën tjetër, sot presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, hodhi fajin tek pala shqiptare, e ka shtuar se “është i sigurt 99 për qind se nuk do të ketë Samit në Paris”.

“Mund të them me një siguri 99 për qind se nuk do të ketë takim të Parisit, meqë mendoj se shqiptarët nuk janë të gatshëm të bisedojnë për asnjë gjë të rëndësishme”, ka thënë Vuçiq, transmeton Koha.net.