Arbëri

PDK-ja ka edhe kryetarë degësh e anëtarë të Këshillit Drejtues nën akuza e të dënuar

Descriptive Text

Vetëm dy ditë pasi rimori kreun e partisë, Kadri Veseli, nxori një vendim se PDK-ja nën drejtimin e tij nuk do të kandidojë e as nuk do të mbështesë kandidatët e asnjë subjekti politik që kanë aktakuza të konfirmuara.

Doli edhe në një konferencë për media, ku tha “PDK nuk do të kandidojë persona të cilët kanë aktakuza që ndërlidhen me dyshime për keqpërdorim të pozitës zyrtare, korrupsion, ose nepotizëm, në asnjë pozitë publike. Dhe, as nuk do t’i mbështesë kandidatët e tillë që mund të propozohen nga partitë tjera ose qytetarët”.

Në njoftimin për media nga PDK-ja, thuhet se Veseli po ashtu ka liruar nga detyra edhe të gjithë të zgjedhurit brenda strukturave drejtuese të PDK-së që kanë aktakuza të konfirmuara dhe ky pezullim i funksioneve të tyre siç tha ai, vlen deri në aktgjykime.

“Ky vendim nuk e paragjykon fajësinë e tyre dhe me përfundimin e gjykimeve, kur ato janë liruese, të gjithë këta persona do të kenë vendin e merituar në PDK dhe në institucione. Prandaj, unë kam biseduar me zyrtarët tanë partiakë që kanë aktakuza dhe i kam njoftuar ata për lirimin nga detyrat zyrtare që kanë mbajtur”, ka thënë Veseli.

Por duke qenë nën aktakuza, shumë kryetarë të degëve të PDK-së kanë garuar e janë zgjedhur në sërish në krye të tyre.

Qemajl Mustafa, kryetar i degës së Gjilanit, është vetëm njëri nga ta. Ai nuk ka treguar se a do të dorëhiqet apo është shkarkuar nga kjo pozitë. Por ka komentuar me fjalë miradije vendimin e shefit të partisë.

“E vërteta dhemb por shëron. E përgëzoj Kryetarin Veseli për vendimin që të akuzuarit për krim, korrupsion, tejkalim të detyrave zyrtare dhe për nepotizēm t'i pezullojnë detyrat e tyre publike në parti e në institucione”, ka thënë Mustafa. “Vetëm ata që sot e çdo ditë të ardhëshme i qëndrojnë pranë këtij vendimi, janë argatë të pastrimit të ‘oborrit’ tonë e pastaj edhe të shoqërisë tonë në tërësi. E vërteta shpesh dhemb shumë por ajo edhe shëron qëndrueshëm”, ka thënë më tej ai.

Në mesin e kryetarëve të degëve që ka aktuzë është edhe Sami Lushtaku, që ka rimarrë kryesimin e degës në Skenderaj.

Ndërsa Sokol Bashota, ish-kryetar i Komunës së Klinës, tash i zgjedhur kryetar i degës së PDK-së në këtë qytet është dënuar 6 muaj me kusht. As ky, e as Lushtaku nuk kanë komentuar ende vendimin e Veselit.

PDK-ja ka edhe në përbërjen prej 151 anëtarëve të Këshillit Drejtues të partisë ka persona me aktakuza, përfshirë Adem Grabovcin, që është pjesë e aktakuzave në rastin Pronto, njësoj si Besim Beqaj që u shkarkua sot nga posti i ministrit të Inovacionit dhe Ndërmarrësisë.