Arbëri

Shoqëria civile pezullon pjesëmarrjen në Komisionin Parlamentar Ad-hoc për përmirësimin dhe forcimin e procesit zgjedhor

Shoqëria civile pezullon pjesëmarrjen në Komisionin Parlamentar Ad-hoc për përmirësimin dhe forcimin e procesit zgjedhor

Duke pasur parasysh zhvillimet e fundit në lidhje me Projektligjin për Financimin e Subjekteve Politike, Ne, organizatat e shoqërisë civile, anëtarë në Grupin Këshillëdhënës të themeluar nga Komisioni Parlamentar Ad-hoc për përmirësimin dhe forcimin e procesit zgjedhor në të cilin marrin pjesë Kryetarët e Grupeve Parlamentare, do të pezullojnë pjesëmarrjen tonë në Grupin Këshillëdhënës deri në tërheqjen e këtij projektligji.

“Ne vlerësojmë, se projektligji aktual është në kundërshtim me frymën kushtetuese dhe reformën zgjedhore të iniciuar nga Kuvendi i Kosovës. Projektligji degradon parimet kryesore të jetës politike duke rrezikuar integritetin e tërë procesit të reformës zgjedhore, përfshirë edhe cenimin e pavarësisë së Zyrës për Regjistrimin e Subjekteve Politike. Projektligji aktual dështon në adresimin e prioriteteve të Agjendës për Reforma Evropiane (ERA) për transparencë, llogaridhënie, zbatim dhe sanksionim efikas në financimin e partive politike, duke u mundësuar subjekteve politike të fshehin identitetin e kontribuesve financiarë të tyre, duke ngritur shumëfish lartësitë e këtyre kontributeve, duke ua zgjatur afatet për publikimin e raporteve financiare të fushatës dhe duke i zvogëluar gjobat, në rastet kur partitë e shkelin ligjin”, thuhet në njoftim.