Arbëri

Rihapen aplikimet në Fondin për Inovacion

Në ambientet e Innovation Centre Kosovo është prezantuar thirrja e dytë për aplikime në ‘Fondin për Inovacion”, program i përbashkët i kësaj qendre, GIZ – projekti CETEP (Krijimi i punësimit përmes promovimit të eksportit) dhe Ministrisë për Inovacion dhe Ndërmarrësi. Ky fond do të ofrojë grante me bashkëfinancim deri në 50,000 euro për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme të sektorit të TIK, Agrobiznesit dhe Prodhimit.

Fondi për inovacion ka për synim mbështetjen e ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme në zhvillimin e koncepteve inovative, nëpërmjet përmirësimit të produkteve, shërbimeve apo proceseve, me qëllim të rritjes së potencialit dhe përgatitjes së ndërmarrjeve për qasje në tregjet ndërkombëtare. Ky fond, i cili i përkushtohet posaçërisht NMVM-ve, planifikohet të ndërhyjë në katër fusha bazë: informacion i bazuar në biznes, shërbime, inovacion në produkte e shërbime, si dhe promovim të eksportit.

Në thirrjen e parë, më 2018, tetëdhjetë e shtatë (87) kompani kanë aplikuar me projekte në Fondin për Inovacion, ndërsa mbështetje financiare kanë përfituar 5 kompani.

Skema e granteve, e cila është e ndarë në tri faza/vite (2018,2019 & 2020) synon të identifikojë NMVM-të me idetë më inovative, të cilat kanë potencial për eksport dhe krijim të vendeve të reja të punës. Grantet poashtu kanë për qëllim rritjen e konkurrueshmërisë së sektorit privat dhe rritjen e eksportit të produkteve/shërbimeve nga Kosova. Shume e një granti mund të arrijë vlerën maksimum 50,000 euro (në raport 1:1 bashkëfinancim me kontributin nga përfituesi). Të gjithë përfituesit e granteve do të mentorohen dhe monitorohen për një periudhë prej 12 muajsh nga momenti i disbursimit te fondeve.

Ottilie Mooshofer, udhëheqëse e ekipit të GIZ, u shpreh: “Me Fondin për Inovacion, sektori privat në Kosovë merr edhe një instrument të ri të përkrahjes me qëllim të zhvillimit të inovacionit në produkte, shërbime dhe krijim të vendeve të reja të punës. E rëndësishme është që të rritet edhe eksportimi i produkteve dhe shërbimeve nga Kosova për në tregun europian”.

Ministri për Inovacion dhe Ndërmarrësi, Besim Beqaj tha se ky fond ka për synim rritjen e konkurrueshmërisë së sektorit privat, krijimin e vendeve të reja të punës si dhe rritjen e eksporteve të produkteve dhe shërbimeve kosovare. Ministri po ashtu u shpreh i lumtur me mundësinë që mjetet e ndara nga Qeveria e Kosovës, të bashkohen me mjetet e donatorëve të jashtëm, me të njejtin qëllim – zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik të vendit.

Për tu kualifikuar si përfitues potencial, bizneset duhet të jenë të regjistruara në Kosovë, të jenë në kategorinë e NMVM-ve (sipas definimit në bazë të ligjeve të aplikueshme në Kosovë), të jenë minimum 3 vite aktive në fushën e caktuar, të jenë pagues të rregullt të taksave, të mos jenë subjekt i procesit të bankrotimit dhe/apo gjykatave, pronari/pronarët e NMVM-ve nuk duhet të jenë persona të dënuar për vepra penale dhe krim të organizuar, të provojnë potencial për eksport, mundësi për rritje të numrit të punëtorëve, si dhe të mos jenë përfitues paraprak të granteve nga Ministria e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë e Republikës së Kosovës.

Drejtori Ekzekutiv i ICK-së, z. Uranik Begu në ceremoninë e prezantimit të fondit, deklaroi: “Jemi të lumtur për vazhdimin e bashkëpunim të ri me projektin CETEP të GIZ dhe Ministrisë së Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, duke shtuar shërbimet në programin tonë për inovacion dhe ndërmarrësi. E veçantë e këtij programi është shtrirja e përkrahjes për startup, si dhe për bizneset ekzistuese nëpërmjet Fondit për Inovacion. Ju urojmë sukses të gjitha kompanive që do të marrin pjesë në këtë proces, meqë qasja në financa është ndër problemet kryesore të bizneseve tona”.

Aplikimet hapen më 17 Qershor dhe mbyllen më 07 Korrik 2019, në ora 16:00. Për më shumë informata vizitoni www.ickosovo.com. Të gjitha pyetjet në lidhe me fondin pranohen vetëm në formë të shkruar në email adresën info@ickosovo.com, deri më 1 korrik 2019.

{gallery}