Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, mori pjesë në përurimin e Shtëpisë së Kulturës që mban emrin e heroit “ Xhavit Haziri” në Komunën e Obiliqit, me ç’rast u shënua edhe 20 vjetori i Ditës së çlirimit të kësaj komune.
Në fjalën e tij para të pranishmëve, Haradinaj tha se po ecin përpara me projekte infrastukturore, projekte të jetës edhe projekte të ujërave të zeza, por punësimi është kryesorja dhe se i është premtuar Obiliqit, atyre që i kanë shpërngulur nga Shipitulla e në disa lagje, për shkak se janë dëmtuar me zhvendosje, pasi e gjithë Kosova për shkak të tyre përfiton.
“Shfrytëzoj rastin që t’iu bëj thirrje udhëheqësve të KEK-ut, që në përputhje me ligjin të mos i harrojmë obligimet që i ka marrë Qeveria e vendit ndaj këtyre banorëve. Ne kishim nevojë për mirëkuptimin e tyre dhe dakordim për gërmim dhe prodhim të energjisë dhe këta banorë e respektuan këtë Qeveri dhe mua. Kemi ngritur tema të interesit nacional që do t’i çojmë përpara mirëpo ashtu si heronjtë tanë ashtu si Xhaviti dhe të tjerë që kanë rënë për liri e kanë ditur se dikush do ta vazhdojë rrugën e tyre”, tha ai duke shtuar se detyra e tyre është zgjidhja e marrëdhënies bilaterale Kosovë - Serbi, e cila siç tha ai, nuk nënkupton zgjidhjen e statusit të Kosovës sepse ajo është e zgjidhur dhe se nuk do të flasin për territore.
Haradinaj sqaroi se kjo po bëhet për të ecur përpara me një marrëveshje që dihet se çfarë do të bisedohet, në mënyrë që koha jonë të jetë e fokusuar tek punësimi dhe ecja përpara në proceset e rëndësishme të Kosovës.
Kryetari i Komunës së Obiliqit, Xhafer Gashi, tha se kjo Shtëpi e Kulturës do te thotë mundësi e të gjithë atyre që e duan kulturën, këngën, vallen e teatrin. “Urime qytetarë, ta nderojmë dhe ta mbajmë në zemër heroin tonë kombëtar Xhavit Haziri”, tha ai në fjalën e tij pas inaugurimit të Shtëpisë së Kulturës.
Haradinaj, po sot, ka bërë homazhe te pllaka e dëshmorëve të komunës së Obiliqit.