Selatin Kaçaniku nga organizata “Konsumatori” ka thënë se edhe pse konsumatori është faktori kryesor i zhvillimit ekonomik të shtetit, askush nga institucionet nuk merret me seriozitetin e duhur me të.
Në Express Intervistën në KTV, Kaçaniku ka thënë se në Kosovë vazhdimisht ka pasur rritje të çmimeve të shportës së konsumatorit, pavarësisht premtimeve se një gjë e tillë do të pamundësohet. Ai ka thënë se ngritja e çmimeve është bërë ngadalë, por që ka ndikim të madh, madje sipas tij, disa konsumatorëve në vend po ia pamundëson edhe jetën.
“Përkundër faktit se konsumatori është taksapagues, neve askush kurrë për asgjë nuk na pyet. As si qytetarë, as si taksapagues as si qytetarë konsumues. Qytetari konsumues është faktori kryesor i zhvillimit të shtetit. Nuk ka tregti, zhvillim, biznes pa konsumatorin, por megjithatë as institucionet, as asociacionet, as bizneset, as mekanizmat nuk merren me seriozitetin e duhur me ne. Kur flasim për çmime, duket në shikim të parë ngritje e ulët, por nëse e përcjellim kontinuitetin, shohim se s’kemi mundësi as të kontrollimit të inflacionit, as të ekonomisë së re. Të gjitha problemet na bëjnë me dije se diçka me ne nuk është në rregull”, ka thënë ai.
Sipas tij, premtimi se s’do të ketë rritje të çmimeve pas vendosjes së taksës ndaj mallrave serbe nuk është përmbushur.
“U premtua se s’do të ketë rritje të çmimeve pas taksës. Ne thamë se do të ketë, por ata që bindën që s’ka rritje, lejuan rritjen. Edhe te produktet tona janë rritur çmimet, dikush e ka shfrytëzuar momentumin. Ne kemi goxha një rritje që ngarkon shportën e konsumatorit e dikujt ia pamundëson edhe jetën. Është vështirë sot të mbetet gjallë”, ka shtuar ai.
Kaçaniku ka thënë se në Kosovë mungon vetëdijesimi për konsumatorin. Sipas tij, asnjë mekanizëm nuk e di se konsumatori është partner i shtetit.
Ai ka thënë se në Kosovë nuk trajtohet si duhet e drejta e konsumatorit.
Kaçaniku ka folur edhe për cilësinë e produkteve elementare. Ai ka thënë se në Kosovë është më mirë puna e kontrollimit, por ka shtuar se jo aq sa është e nevojshme.
“Ligjet po i bëjmë shpejtë, laboratorët kemi përkrahje nga ndërkombëtarët, por kemi mungesë kuadrosh, e te inspektoratet kemi bërë gabim kur para dhjetë vjetësh i kemi nda. Deri para tri katër vitesh ne kemi menduar se cilësia dhe siguria janë një. Tash është nda. Mekanizmat merren vetëm me sigurinë. A është i sigurt apo jo një produkt e sa i përket cilësisë duhet në bazë të nivelit tonë të dijës e aftësisë së pagesës të bëjmë përzgjedhjen. Ne s’kemi mundësi dhe e blejmë produktin më të lirë që normalisht ka mungesë të cilësisë”, ka shtuar ai.