Arbëri

Nëndega e LDK-së ‘Muhaxhirët 2’ në Prishtinë, me dy kryetarë

Dy kuvende zgjedhore të LDK-së janë mbajtur brenda 14 ditëve në nëndegën “Muhaxhirët 2” në Prishtinë.

Kuvendi i 26 majit, ku u zgjodh kryetar Amir Simnica, është anuluar me arsyetimin se nuk ishte mbajtur me procedurë të rregullt, për t’u mbajtur sërish një i tillë të shtunën (8 qershor), ku kryetar i saj u zgjodh Gëzim Mehmeti.

E krejt këtë proces, vetë Amir Simnica po e quan antiligjor dhe jashtë statutit të zgjedhjeve të brendshme të LDK-së.

Simnica, në një bisedë për Koha.net, ka thënë se kuvendi në të cilin ai u zgjodh kryetar, u anulua vetëm se i “ledhatuari” i tyre, Ramë Ajeti, nuk arriti t’i merrte votat e mjaftueshme.

Ai thotë se në shenjë revolte, Ajeti, së bashku me kryetarin e Degës së Tretë të LDK-së në Prishtinë, Hazir Borovcin, dhe me një pjesë të delegatëve, kanë lëshuar mbledhjen, por, sipas Simnicës, ai arriti të zgjidhej kryetar më 77 vota të delegatëve të mbetur në Kuvend.

“Statuti i LDK-së e parasheh se në rast se kryetari nuk është prezent, atëherë nënkryetari e mbanë mbledhjen. Nënkryetari e ka marrë mbarëvajtjen e mbledhjes ku i ka pyetur afër 77 delegatë në Kuvend, nga ku kanë dalë organet e reja të Nëndegës, kryesia dhe kryetari, ku me 77 vota unë jam emëruar kryetar i Nëndegës. Ata menjëherë atë ditë kanë thirrur mbledhje të jashtëzakonshme ku kryesia e Degës së Tretë, me kryetarin Hazir Borovci, kanë marrë vendim të anulojnë këtë Kuvend, pa asnjë arsye”, ka thënë Simnica.

Ai thotë se me të marrë lajmin se sot po mbahet Kuvend i ri në këtë Nëndegë, kanë shkuar në mbledhje për t’u thënë se ajo se çfarë po bëjnë është antiligjore. Kjo për faktin se, siç thotë ai, në Komisionin për Ankesa në Qendër të LDK-së është duke u shqyrtuar një ankesë e tij pas anulimit të vendimit të Kuvendit të 26 majit, dhe deri në marrjen e përgjigjes, asnjë Kuvend nuk guxon të mblidhet.

“Momentin kur ne e kemi kuptuar se është anuluar Kuvendi, ne e kemi përgatitur një ankesë dhe e kemi dërguar në Komisionin për Ankesa në Qendër. Është shumë e habitshme, lënda është në shqyrtim e sipër dhe ata vendosin në mënyrë paralele e uzurpuese, me e mbajt një Kuvend duke mos i lajmëruar as banorët e lagjes, e çka është më keq, as kryetarët e kryesisë e as nënkryetarin e nëndegës. Kur e kuptuam ne që po do me ndodhë kjo, atëherë një grup prej banorëve të lagjes kemi shkuar deri te zyra dhe ju kemi treguar që kjo është antiligjore, sepse ende është ankesa në shqyrtim e sipër”, ka thënë Simnica.

I pyetur se çfarë pret nga ankesa dërguar në Qendër, Simnica ka thënë se do të respektojnë çdo vendim që do të marrë Komisioni i Ankesave të kësaj partie.

Ndërkaq, kryetari Degës së Parë të LDK-së në Prishtinë, Hazir Borovci, Kuvendin e mbajtur sot e ka quajtur krejtësisht ligjor e demokratik.

Ai për Koha.net ka thënë se në Kuvend me procedura të rregullta është votuar kryetari i ri i nëndegës Gëzim Sinani.

“E vërteta është se në procedurë të rregullt është mbajtur Kuvendi, shumë në mënyrë demokratike edhe nuk ka diçka për shqetësim. Kryetar i ri është zgjedhur Gëzim Sinani dhe është një personalitet shumë i nderuar”, ka thënë ai.

Borovci për zgjedhjen e Amir Simnicës ka thënë se Kuvendi nuk ishte mbajtur me procedurë të rregullt, gjë që i ka shtyrë ata që ta anulonin atë vendim.

“Ai vendim është anuluar për shkak se një Kuvend që nuk mbahet në procedurë të rregullt dhe në bazë të statutit të partisë, do të thotë normalisht që anulohet”, ka thënë ai, duke shtuar se ankesa e Amir Simnicës e dërguar në Komisionin për Ankesa të LDK-së nuk ka pasur përgjigje.

Ndërkaq, sipas informatave të portalit Koha.net, në mbledhjen e kaluar të Kuvendit të Nëndegës “Muhaxhirët 2” të Prishtinës, të mbajtur më 26 maj të këtij viti, kryetari i Degës, Hazir Borovci, bashkë me një grup anëtarësh, kishin lëshuar mbledhjen.