Arbëri

Aleatët e Bashës thirrje Metës të deklarojë shtyrjen e zgjedhjeve

Pesë partitë e grupimit të qendrës së djathtë i kërkojnë presidentit të Republikës që të deklarojë shtyrjen e zgjedhjeve lokale me 6 muaj. Gjatë një takimi që zhvilluan me qytetarë në Kamëz, partitë opozitare thonë se kjo është një betejë për jetë a vdekje.

Presidenti Ilir Meta nuk duhet ta vonojë vendimin për shtyrjen e zgjedhjeve. Thirrjen ia drejton “Grupimi i Qendrës së Djathtë”.

“I kërkoj Presidentit të Republikës, si autoriteti kushtetues i vetëm i këtij vendi, i cili duhet të garantojë unitetin e popullit, i cili duhet të garantojë një shoqëri demokratike e pluraliste, duhet të garantojë nga pikëpamja kushtetuese një shoqëri që bazohet mbi votën e lirë, të deklarojë shtyrjen e zgjedhjeve lokale me 6 muaj. Në qoftë se Presidenti i Republikës ka deklaruar që është i gatshëm, në qoftë se do të ketë mirëkuptim politik, ne sot kuptojmë që nuk ka mirëkuptim nga pushteti i krimit. Prandaj është e rëndësishme që të shtyjmë zgjedhjet për 6 muaj dhe të ndërtojmë një qeverisje tranzitore”, tha Fatmir Mediu.

Çfarë ka ndodhur me zgjedhjet në të shkuarën tashmë është një arsye më shumë pse duhet formuar qeveria tranzitore dhe kryeministri të japë dorëheqjen thanë kryetarët e partive të grupimit të qendrës së djathtë.

“Nuk kanë vjedhur persona të veçantë, apo kryetarë bashkish, ka qenë ky shefi i vjedhjeve. Nuk mund të vidhte Dako pa bekimin e këtij, i ka bekuar ky këta, por ç’është më e keqja, mirë se i ka bekuar për vjedhje, por këta njerëz i ka marrë dhe i ka çuar në pushtet”, tha Duka.

“Në tavolinën evropiane politikanë të korruptuar si Edi Rama nuk mund, dhe nuk do të rrinë asnjëherë të barabartë. Jemi brez i humbur, ne po se po, por mbi ne rëndon edhe përgjegjësia nëse do të jetë i humbur edhe brezi i fëmijëve tanë. Nuk mund t’ia falim një brez të tërë, të shoqërisë sonë, Edi Ramës dhe interesave të tij okulte. Duhet të ndërgjegjësohemi”, deklaroi Vangjel Dule.

“Duhet me e ndalu’, me e thy’, këtë lloj rrethi të keq. Na takon të ngrihemi, të rezistojmë, kjo është betejë jetë a vdekje”, tha Shehi.

“E vetmja mënyrë me të është përballja, dhe përballja është protesta. Çdo gjë e ka një lloj fundi, për atë, të merituar, ta mbyllim me një ‘Rama ik’ të fuqishëm”, tha Nard Ndoka.

Në këtë organizim, që tashmë njihet si “Forumi për Zgjedhje të Lira” partitë opozitare diskutuan për krizën politike, institucionale dhe ekonomike në të cilin ndodhet vendi./ABC News