Arbëri

Aliu thotë se PSD-ja s’do t’i japë nënshkrimet për rrëzimin e Qeverisë, “atyre u intereson vetëm pr/ligji për Financimin e partive”

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Liburn Aliu, është shprehur skeptik që Partia Socialdemokrate do ta votojë mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë aktuale.

Madje Aliu, takimin mes të parit të LDK-së Isa Mustafa dhe atij të PSD-së, Shpend Ahmeti, po e sheh si shfrytëzim nga ky i fundit që të votohet Projektligji për Financimin e Partive Politike.

“Unë mendoj që ata e kanë interesin momental të kalimit të Ligjit për Financimin e Subjekteve Politike. Jam i bindur që kjo është vetëm një lojë e PSD-së”, thotë ai për Koha.net.

Sipas tij, takimin me Mustafën, PSD-ja do ta përdorë për t’ia ngritur pazarin vetes kur të takohen me palët tjera.

“Ata nuk e votojnë mocionin e mosbesimit, shanse nuk ka, se unë i njoh, e di me kë kemi të bëjmë. Ata dalin me Isa Mustafën, mund t’ia kërkojnë edhe Isa Mustafës votat për financimin e partive politike, mund ta përdorimin takimin e Isa Mustafës si ngritje të pazarit kur të takohen me këta tjerët ose me dikë të Qeverisë, kjo është njëfarë loje, unë jam i bindur qysh ka me përfundu kjo”, ka thënë ai.

E, për takimin mes shefit të Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes Glauk Konjufca dhe atij të LDK-së, Avdullah Hoti, ai thotë se nuk e di se për çfarë është diskutuar, por që thotë se ata janë të gatshëm ta votojnë mocionin.

“Nuk e di saktë çka është fol në këto takime, por e di që prej anës tonë ka gatishmëri sa i përket mocionit. Ndërsa duke e pasur parasysh interesin e PSD-së, unë jam tepër skeptik, madje nuk besoj fare që ata realisht do të votojnë”, ka përfunduar ai.

Koha.net ka provuar të kontaktojë disa nga deputetët e PSD-së dhe LDK-së, mirëpo ata nuk ishin të qasshëm.

Të enjten, kryetari i Partisë Socialdemokrate Shpend Ahmeti, është takuar me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa me të cilin kanë diskutuar për mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë Haradinaj.

Ndërkaq, një ditë më pas, kryetari i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, është takuar me kryetarin e Grupit Parlamentar të VV-së, Glauk Konjufca, ku thonë ta kenë harmonizuar tekstin e mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë Haradinaj.