Arbëri

Pantina: Kërkojmë debat dhe konsensus politik për fillimin e vetingut

Deputetja e PSD-së, Shqipe Pantina ka thënë se debati për vetingun në drejtësi duhet të nisë sa më shpejtë në Kuvend, e të arrihet një konsensus politik për këtë çështje.

Në “Express Intervistën” në KTV ajo ka thënë se ky nuk është as proces i lehtë e as që kryhet shpejt, por duhet të fillohet nga diku.

“Një nga problemet kryesore është lufta kundër krimit të organizuar dhe organet e thirrura mund të themi se nuk kanë pasur sukses për të mos thënë se kanë dështuar. Arsyeja se pse ende nuk lëvizim lirshëm është se ne si shoqëri e organet e drejtësisë kanë dështuar në luftimin e korrupsionit”, ka thënë Pantina.

Pantina ka shtuar se politika duhet t’i heqë duart njëherë e mirë nga gjyqësori. E pastaj duhet të pastrohet gjyqësori nga këta komponentë që shpesh janë bërë pengesë për avancimin e sistemin gjyqësor.

Ajo ka konfirmuar se është bërë kërkesa për debat parlamentar.

“Ne si PSD nuk duam të marrim bajrakun për këtë, por ne duam konsensus. Fillimisht ne kemi dashur të dëgjojmë përvojat e organizatave të ndryshme dhe me vendet që po kalojnë në këtë proces, siç është Shqipëria. Qe tre javë kemi bërë kërkesë për mbajtjen e një seance për vetingun”, ka thënë ajo.

Tutje Pantina ka përmendur tre pika përmes së cilave mund të bëhet ndryshimi në gjyqësor:

1. Të shihet prejardhja financiare e njerëzve të kyçur në drejtësi, për të parë cilat janë të hyrat e tyre.

2. Integriteti - Kush janë këta njerëz, me kë shoqërohen.

3. Vlerësim i Performancës së Gjyqtarëve - Duhet të dihet se kush janë këta gjykatës që i marrin lëndët për figurat politike dhe në fund përfundojnë hetimet, e duhet të dihet se përse ndodh kjo.

Pantina ka shtuar se nuk do të thotë se vetingut duhet t’i nënshtrohet vetëm drejtësia, por edhe politika.

Por, sipas saj për të gjitha këto duhet një konsensus.

Deputetja e PSD-së më pas ka komentuar edhe skandalin e fundit të fajdeve ku është përmendur edhe kryeparlamentari Kadri Veseli.

“Në fakt kanë ndodhur aq shumë skandale, sa që nuk po e dimë se cili është më skandalozi. Duke filluar nga Pronto do të duhej që ai skandal ta shkundte shoqërinë. E në rastin e fundit nuk intervistohet as Kadri Veseli e as nuk hetohet. Pajtohem me Veselin kur thotë se përse ai nuk është intervistuar, si i dyshuar ose në cilësinë e viktimës”, u shpreh ajo.

Ajo thotë brenda sistemit të drejtësisë ka prokurorë të guximshëm, por ata janë të ngulfatur.

“Deri më tani nuk është treguar vullneti politik për ta bërë këtë. Por, ne duam që kjo çështje të bëhet temë e Kuvendit. Është herët të vlerësohet procesi në Shqipëri pasi ende s’ka përfunduar. Ky proces mund të zgjasë pesë deri në nëntë vite”, u shpreh ajo.

Pantina ka shtuar se Shqipëria nuk është i vetmi model që mund ta shikojë Kosova.

“Ka përkrahje edhe nga vendet e tjera prej nga mund të marrim përvojat e tyre. Për 15 vite Shqipëria u kishte ndaluar që të merreshin me procesin e drejtësisë, personave që kishin dështuar të kalonin vetingut. Kjo duhet të lindë si nevojë për vendin, dhe të mos presim që ndërkombëtarët të na thonë që ta nisim vetingun. Tani duhet të hapim debatin, dhe të arrijmë konsensus që duhet të shkojmë përpara në procesin e vetingut”, u shpreh Pantina.

Ajo thotë se nuk duhet t’ia lëmë në dorë vetëm qeverisë, por duhet të ketë një konsensus nga të gjithë akterët politikë.

“Dua të besoj se një ditë edhe partitë e pushtetit të jenë të gatshme ta pranojnë ta bëjnë një proces të tillë. Ne duhet të gjejmë mënyrën më të mirë, që i bie tamam shoqërisë sonë, pasi ideja finale nuk është vetingu por të kemi një shtet të së drejtës. E kjo ndërton mekanizma të llogaridhënies”, thotë Pantina.

E Instituti i Prishtinës për Studime Politike ka dhënë qëndrimin e saj për çështjen e vetingut.

Më poshtë mund ta lexoni postimin e plotë të PIPS-it në Facebook mbi këtë temë:

PIPS-i mori pjesë në punimet e diskutimit “Vettingu- hapi drejt forcimit të gjyqësorit në luftën kundër krimit të organizuar dhe korupsionit”, të organizuar nga Partia Socialdemokrate (PSD).

Në këtë diskutim morën pjesë një sërë përfaqësuesish të organizatave të shoqërisë civile të cilat dhanë qëndrimet e tyre në lidhje me reformën në drejtësi dhe procesin e Vettingut.


Në këtë ngjarje u prezantua qëndrimi i PIPS mbi këto segmente, ku u nënvizua se Vetingut duhet t’i qasemi në dy drejtime: aspektin teknik dhe atë politik. Sa i përket aspektit teknik janë disa vendime që duhet marrë të cilat kanë të bëjnë me përmbajtjen e procesit, të cilat elaborohen më poshtë.
*
*
1. Kohëzgjatja e këtij procesi është shumë me rëndësi. Një proces i Vettingut që nuk paracakton qartazi jetëgjatësinë e tij rrezikon të prodhojë kundërefekt. Besimi qytetar në institucionet e drejtësisë veçse është shumë i ulët dhe një Veting që nuk shtron çdo hap që do të ndërmirret dhe i përmbahet atyre, rrezikon edhe më shumë marrëdhënien e besimit që qytetarët duhet ta kenë me sistemin e drejtësisë. Për më tepër, rrezikon të shpërfaqet vetëm si një iniciativë tjetër e dështuar e politikbërësve. Në rastin më të mirë, ky proces nuk do të duhej të zgjaste më shumë se dy vite.
2. Duhet adresuar ulja e kapacitetit punues të sistemit prokurorial dhe gjyqësor. Sikur parashihet, do të ketë gjyqtarë dhe prokurorë që do të tërhiqen nga procesi i Vettingut, ndërkaq të tjerë do të duhet të lirojnë pozitat për shkak të gjetjeve të Komisionit. Në këtë kuadër, duhet menduar si të gjendet formula që të mos dëmtohet volumi i punës me lëndët, nga pozitat e lëna vakante. Vettingu nuk duhet të jetë qëllim në vetvete, ai i shërben përmirësimit të punës së sistemit të drejtësisë dhe ngritjes së besimit të qytetarëve. Rrjedhimisht, Vettingu duhet të jetë në paralel me një proces më rigoroz se i tanishmi i nxjerrjes së kuadrove të reja të sistemit të drejtësisë.
3. Duhet vendosur cilat institucione duhet të përfshihen në procesin e Vetting. Përpos sistemit prokurorial dhe gjyqësor dhe Gjykatës Kushtetuese, PIPS vlerëson se është shumë me rëndësi që edhe policia dhe AKI t’i nënshtrohen këtij procesi, meqenëse pozitat drejtuese dhe menaxheriale të këtyre institucioneve janë skajshmërisht të ndikuara nga politika dhe kjo është dëshmuar më shumë se njëherë.
4. Duhet caktuar a kemi të bëjmë me një proces që i inkorporon edhe vlerësimin e performancës edhe matjen e integritetit të prokurorëve dhe gjyqtarëve. Tutje, duhet krijuar një set standardesh të detajuara me anë të së cilave do të matet komponenta e integritetit. Kjo e tejkalon deklarimin e pasurisë dhe duhet të përmbajë gjithashtu lidhjet partiake, familjare dhe biznesore, deri në detajet më të imta. Duhet të gjurmohen të gjitha aspektet personale që kanë mundësi të ndikojnë në administrimin e drejtesisë.
5. Duhet definuar çfarë roli kanë komuniteti ndërkombëtar në këtë proces. Me UNMIK dhe EULEX mund të thuhet se Kosova përbën rast të veçantë, për faktin se komuniteti ndërkombëtar ka pasur kompetenca për zbatimin e drejtësisë për një kohë të gjatë. Në Shqipëri procesi u inicua nga komuniteti ndërkombëtar që tani ka rol përkrahës, ndërkaq ne duhet definuar saktë se cili do të jetë roli i tyre në këtë proces.
*
*
Përpos aspekteve teknike të lartcekura duhet diskutuar mbi aspektin politik. Ndërhyrjet e skajshme brenda sistemit të drejtësisë janë evidentuar tash e një kohë nga organizata të shoqërisë civile dhe Raportet e Vendit të Komisionit Evropian. Për këtë arsye duhet pasur kujdes që të mos vazhdojnë përmes petkut të reformës, diçka që ka ndodhur me procesin e emërimit dhe riemërimit të gjyqëtarëve dhe prokurorëve në vitet 2009-2010, kur me pretekstin e përmirësimit të këtyre shtyllave janë bërë ndërhyrje të skajshme që vetëm sa e kanë dëmtuar edhe më tej sistemin e drejtësisë.
Një sërë përfaqësuesish që vijnë nga rrethe të cilat përmes ndërhyrjeve kanë ndikuar që procesi i Vetting të jetë kaq i domosdoshëm, tash proklamojnë fillimin dhe përfshirjen direkte në këtë proces, megjithatë duhet pasur parasysh se përmirësimi i problemit nuk mund të bëhet nga shkaktarët. Një grup reformash të dështuara e kanë nxjerrë këtë mësim. Për shkak të natyrës komplekse të procesit të Vettingut, ai duhet të dalë nga konsensusi i shumicës së akterëve politikë dhe të ketë përfshirjen e vazhdueshme të shoqërisë civile. Krijimi i Komisionit vlerësues të integritetit por edhe organeve tjera përgjegjëse duhet të jetë plotësisht i lirë nga ndikimet e politikës dhe Qeveria aktuale, specifikisht Ministria e Drejtësisë, nuk e garanton këtë.
Si përfundim, PIPS vlerëson se procesi i Vetting në drejtësi dhe institucione të sigurisë dhe të rendit është i domosdoshëm. Sidoqoftë, në mënyrë që të kemi rezultate efektive, duhet të pritet një moment më i përshtatshëm për të filluar këtë proces.