Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës Rashit Qalaj me menaxhmentin e lartë të PK-së, nën shoqërimin e ministrit të MPB-së Ekrem Mustafa, pas përfundimit të suksesshëm të operacionit policor vizituan kampin e Njësive Speciale ‘Belvedere’ në Mitrovicë.
“Kjo vizitë kryesisht kishte karakter mbështetës për njësitet policore duke përfshirë edhe ato të specializuara në luftën e pa kompromis ndaj të gjitha veprimtarive kriminale. Pas kësaj vizite delegacioni vazhdoi për në rajonin e Gjakovës, ku realizoi një vizitë edhe tek zyrtari policor i cili u plagos gjatë operacionit policor të realizuar gjatë ditës së sotme”, thuhet në komunikatën për media.
Qalaj e Mustafa, thuhet në komunikatë, zyrtarit policor i dëshiruan shërim të shpejtë dhe kthim në detyrë për t’iu shërbyer qytetarëve dhe vendit.
Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në garantimin e rendit dhe sigurisë për të gjithë pa dallim, dhe ndërmarrjen e veprimeve ligjore ndaj secilit individ të involvuar në aktivitete të kundërligjshme pavarësisht rolit dhe funksionit që kanë ata.