Arbëri

Sipas Vuçiqit, aksioni në veri të Kosovës u bë për të frikësuar serbët, jo kundër krimit

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi para deputetëve në Kuvendin e Serbisë se gjatë aksionit të Policisë Speciale të Kosovës sot në mëngjes, në veri të Kosovës, janë arrestuar 23 qytetarë serbë e boshnjakë, dhe se qëllimi i aksionit nuk ishte lufta kundër krimit, por dëshira për të frikësuar popullin serb dhe që banorët e atjeshëm të kriminalizohen.

Siç e citojnë mediat serbe, ai ka ripërsëritur se Ushtria e Serbisë është e gatshme të mbrojë popullin nëse ndodh rrezikimi i sigurisë së tyre dhe se si komandant suprem tashmë ka urdhëruar ngritjen e nivelit të gatishmërisë të të gjitha njësiteve, transmeton koha.net.

"Dua të keni besim në mua si president i Republikës, ju garantoj se çdo lloj urdhëri që do ta jap do ta masë disa herë, por nëse ndodh përshkallëzimi i konfliktit dhe vazhdon të sulmohet populli serb dhe njerëzit, e gjitha që mund t'ju them është: Serbia do të ngadhënjejë", është shprehur ai.

Sipas tij, qëllimisht është zgjedhur që arrestimet të bëhen në të gjitha komunat veriore, meqë populli serb në veri të Kosovës është më i tronditur se asnjëherë.

Vuçiq ka thënë se ka zhvilluar kontakte me përfaqësuesit e Bashkimit Europian dhe administratën e Brukselit, përkatësisht me ndërmjetësit e dialogut, dhe se i ka informuar për ato që kanë ndodhur, porse ata i kanë thënë se bëhet fjalë për aksion kundër krimit.

Vuçiq ndërkaq ka thënë se sipas të dhënave të Policisë së Kosovës në veri të Kosovës niveli i krimit është në shkallën më të ulët dhe se lufta kundër krimit është vetëm shkas për të frikësuar serbët.

Ai ka theksuar se ka pasur përpjekje që trupat hungareze të KFOR-it të vihen në lëvizje, por komandanti i NATO-s i ka ndalur nga ky qëllim dhe ka thënë të mos përzihen në luftën kundër korrupsionit e krimit.

Sipas pohimeve të Vuçiqit, aksioni ka nisur sot në mënmgjes para orës 6 dhe se Policia e Kosovës ka hyrë në veri me 73 automjete, ndërsa rreth 50 presin në ëjesën jugore të Mitrovicës, ndërsa rreth 15 në Skenderaj.

"Është konfirmuar arrestimi i 23 personave me përkatësi kombëtare serbe e boshnjake në tri komuna: Mitrovicë e veriut, Leposaviq e Zubin Potok. Shumica janë pjesëtarë të Policisë së Kosovës, ashtu siç e kemi alarmuar oponionin para 15 ditësh", ka thënë ai.

Sipas fjalëve të tij, serbët nuk kanë bërë kurrfarë rezistence, ndërsa shqiptarët kanë shtënë me municion luftarak përmebi kokat e serbëeve që protestonin.

"Tash për tash nuk ka të vdekur. Ndërsa në Mitrovicë (të veriut - v.j) kanë shtënë ndaj njerëzve kur të rinjtë serbë kanë gjuajtur me gurë", ka thënë Vuçiq.

Ai po ashtu ka thënë se presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, dje i ka bërë thirrje Shqipërisë për bashkim, dhe se kjo do të thotë se "ata duan që kufiri shqiptar me Serbinë të jetë në Kopaonik".

"Kufiri brenda pak ditësh të na shfaqet në Kopaonik në saje të serbëve që e ndihmojnë, por unë mund t'ju them: Nuk do të ketë kufi shqiptaromadh në Kopaonik", e citon agjencia serbe e lajmeve Beta, transmeton Koha.net.