Arbëri

Veseli kërkon ndërhyrjen e BE-së pas paralajmërimeve për dorëheqje të kryetarëve të sapozgjedhur në veri

Foto: Alban Bujari / Koha

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka reaguar ashpër ndaj paralajmërimit të kryetarëve të sapozgjedhur të komunave të veriut të Kosovës se mund të japin dorëheqje.

Këto paralajmërime kryetarët serbë të komunave i bënë sot pas takimit me Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq në Beograd.

“Paralajmërimi i dorëheqjes nga kryetarët e sapozgjedhur të komunave të veriut të Kosovës është një akt i pahijshëm dhe i dëmshëm që cenon bashkëjetesën dhe stabilitetin e Kosovës. Kjo deklaratë e dhënë prej tyre pas takimit me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, dëshmon edhe njëherë qartazi mungesën e vullnetit të Beogradit për të ndërtuar paqe dhe fqinjësi të mirë”, ka thënë Veseli në një postim në Facebook.

Me këtë rast, ai u ka bërë thirrje përfaqësuesve të Bashkimit Evropian dhe partnerëve të tjerë ndërkombëtarë, që të bëjnë detyrën e marrë përsipër si garantues për të bërë presion në mënyrë që Serbia të zbatojë marrëveshjet e nënshkruara në Bruksel.

“Pavarësisht këtyre provokimeve, dua të theksoj se Republika e Kosovës është një shtet model në mbarë Evropën për sa i përket garantimit të të drejtave komuniteteve jo-shumicë dhe do të vazhdojë me këmbëngulje që me procesin e dialogut final të zgjidhë problemet e së kaluarës me Serbinë duke siguruar njohjen dhe ulësen në OKB”, ka shkruar Veseli në faqen e tij në Facebook.