Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë sot në Beograd, se Serbia dëshiron të jetë anëtare e Bashkimit Evropian dhe se në shtator do të propozojë zgjidhje të reja lidhur me këtë, transmeton Koha.net.
“Askush nuk do ta fusë Serbinë në BE e pastaj të zgjidhen problemet e brendshme. Sot problemi kryesor evropian janë zgjedhjet për Parlamentin e BE-së. Diku në shtator do të propozoj zgjidhje të reja, si do ta zgjidhim problemin e kufijve, tregun e përbashkët. Gjithsesi që duam të jemi në shoqërinë e zgjedhur të BE-së”, ka thënë Vuçiqi duke u përgjigjur në pyetjen se ku e sheh Serbinë në rrugën e saj drejt anëtarësimit në BE, përcjell gazeta “blic” e Beogradit.
Vuçiq nuk ka treguar, ose mediet serbe nuk njoftojnë, nëse kufijtë e përmendur në këtë deklaratë, kanë të bëjnë me Kosovën.
Ai ka shtuar se Serbia ka kontakte të shkëlqyeshme dhe bashkëpunim të mirë me Rusinë ndërsa i ka dërguar mesazh BE-së: "Nëse nuk na doni në BE, na tregoni, mos kërkoni përgjigje në bashkëpunimin tonë me Rusinë”.