Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se Gjermania ka konfirmuar edhe një herë mbështetjen e Kosovës për liberalizim të vizave.
Sipas tij, në publikimin e radhës të së përditshmes gjermane Zeitung Fur Deutschland, theksohet mbështetja e ministrit të Brendshëm të Gjermanisë, Seehofer për procesin e liberalizimit të vizave, duke e konsideruar të justifikueshme kërkesën e kosovarëve për të lëvizur të lirë dhe duke këmbëngulur që Kosova përmbushë kriteret e nevojshme për këtë proces.
Haradinaj thotë se një mbështetje të madhe këtij procesi i ka dhënë edhe deputeti i Partisë së Gjelbër, Manuel Sarrazin, derisa në korrik të 2018-ës, Komisioni i BE-së konfirmoi se Kosova ka përmbushur të gjitha kërkesat, e po të njëjtin vlerësim vendi e mori edhe nga Parlamenti Evropian.
“Tani Kosova ka krijuar ekipin e saj për të bashkëpunuar me Qeverinë gjermane, që ky proces të finalizohet sa më parë. Kosovarët, tashmë e kanë marrë PO-në e madhe nga Gjermania, për ta jetësuar të drejtën e tyre për lëvizje të lirë. Urime Kosovë”, ka shkruar ai.