Përfundon seanca, Veseli VV-së dhe LDK-së: Ia bëjmë si të doni vetëm votojeni Tribunalin Foto: Alban Bujari / Koha

Përfundon seanca, Veseli VV-së dhe LDK-së: Ia bëjmë si të doni vetëm votojeni Tribunalin

20 May 2019 14:27

Në mungesë të kuorumit, Kuvendi i Kosovës ka ndërprerë punimet e seancës plenare ku u diskutua për komisionin që do të drejtojë themelimin e Tribunalit Ndërkombëtar për gjenocidin serb në Kosovë.

Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, njëherësh iniciues i këtij Tribunali, tha se seanca do të vazhdojë shumë shpejt.

Veseli ftoi deputetët e LDK-së dhe ata të Vetëvendosjes, të cilët bojkotuan seancën e sotme, që të kthehen në seancë në mënyrë që bashkërisht të votohet komisioni për drejtimin e themelimit të Tribunalit.

Ai u tregua i gatshëm që të pranojë kushtet e dy subjekteve, pasi për të është e rëndësishme që të bëhet Tribunali, në mënyrë që të dënohen krimet e luftës nga ana e Serbisë.

“Unë për fund kam një thirrje për vëllezërit tanë nga LDK dhe nga VV, është mirë me qenë në sallë kur të votohet. Kjo ka me u votu, është mirë me qenë në sallë edhe ju, të votojmë bashkërisht. Ju kam thirr dhe do t’iu thërras sa herë që të kërkoni, nëse jeni hidhëru se e kam filluar unë këtë iniciativë, unë jam i gatshëm t’ia bëjmë qysh të doni. Por, ajo që është kryesore është që duhet me e votu. Për mua si njeri, e kam vendosur që nga dita e parë që kam ardhur si kryetar i Kuvendit, jam betuar para atyre fotografive para Kuvendit që nuk do të mbeten jashtë”, tha Veseli.

Ai ka thënë se është e rëndësishme që bashkësia ndërkombëtare të mbështet themelimin e këtij Tribunali, pasi kjo e fundit ka investuar dhe po investon në Kosovë.

Sipas tij, Serbia do të përgjigjet për gjenocidin që ka kryer në Kosovë./Kp/

Komentet

Petrit Shala22/05/2019 10:19

Kadri Veseli nuk mundet krye n'veti me krijue nji tribunal ndërkombëtar sepse për të krijuar një të tillë e ka të drejtën vetëm OKB-ja.

Shto koment

Të ngjashme