Arbëri

Andin Hoti kërkon që të kushtëzohet dialogu me Serbinë me zbardhjen e fatit të të pagjeturve

Në 20 vjetorin e zhdukjes së veprimtarit Ukshin Hoti, nën patronatin e kryeministrit të Kosovës është mbajtur akademi përkujtimore.

I biri i Ukshin Hotit, Andini, njëherësh deputet nga radhët e PDK-së, ka ftuar institucionet e vendit që të kushtëzojnë dialogun me Serbinë, që pa u zbardhur fati i të pagjeturve të mos ketë marrëveshje përfundimtare.

"Kosova përveç që u bë shtet ka formuar edhe ushtrinë, platformë që ka pasur edhe babai im. Në 20 vjetorin e zhdukjes së babait tim, fati i babait dhe i të pagjeturve është dështimi i organizatave të njeriut dhe institucioneve kosovare dhe faktorit ndërkombëtar. Të pagjeturit kanë vetëm një adresë, është drejtësia, ndërsa Serbia ka filluar edhe t’i mohojë krimet e njohura botërisht. Ftoj institucionet që të kushtëzojnë marrëveshjen se pa u ditur fati i tyre të mos ketë dialog dhe faktori ndërkombëtar të shtoj presionin ndaj Serbisë", tha Hoti, raporton KP.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli e ka quajtur ‘Baba të kombit’ Ukshin Hotin.

"Andin, babai yt është baba i kombit. E vërteta për Ukshin Hotin dikush thotë se nuk dihet, ajo dihet çdo ditë, ai ishte veprimtar. Kur ka folur ai se Kosova duhet të ketë ushtri, pak kush ka guxuar të flasë. Unë besoj shumë se kombi jonë ka perspektivë dhe do të jetë i fort çdo ditë. Është i përjetshëm kujtimi për të madhin Ukshin Hoti. Ne sot jemi në Kuvend për të kërkuar drejtësi, për të dhe fëmijët e pleqtë të cilët kanë bërë gjenocid në Kosovë", tha ai.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj tha se është nder të jetë këtu dhe që të kontribuojnë në zbardhjen e rastit të Ukshin Hotit.

"I burgosur sepse zbërtheu kërkesat e shqiptarëve, i mënjanuar dhe unik në këndvështrimin politik. Armiqtë e lirisë nuk i besuan, e hoqën nga burgu dhe e zhdukën. Një intelektual i cili nuk lejoi korruptimin e dijes. Jo rastësisht pushtuesi iu hakmorrë. Sot kur po flasim për Ukën, duhet të shtrojmë pyetjen se sa jemi në detyrë të shtet mbajtjes. Jo vetëm si parullë politike, pyetja ‘Ku është Ukshin Hoti?’. Duhet të kodifikojmë drejtën tonë, që krimet mos të kalojnë pa u dënuar. Të vazhdojmë të ndriçojmë jetën dhe veprën e tij", tha Haradinaj.

Ndërsa, kryetari i komunës se Rahovecit, Smajl Latifi tha se pavarësisht se vendlindja e Ukshin Hotit është Rahoveci, kjo akademi po mbahet në Prizren, sepse konsiderohet kryeqyteti shpirtëror i shqiptarëve, dhe tempulli i dijes, ku edhe Universiteti i Prizrenit mban emrin e Ukshin Hotit.