Arbëri

Shqipëria po tkurret, barazohen numri i lindjeve dhe ai i vdekjeve

Foto: Ilustrim

Tendenca e treguesve demografikë në Shqipëri kanë treguar se në tremujorin e parë të vitit 2019 numri i lindjeve ishte i barabartë me atë të vdekjeve, duke bërë që shtimi natyror i popullsisë të bie drejt zeros.

Sipas Institutit të Statistikave në Shqipëri, për tre muaj u lindën vetëm 5986 fëmijë, rënie prej 10.1 për qind krahasuar me tremujorin e parë të vitit të shkuar. Për të njëjtën periudhë, numri i vdekjeve në rezultoi të jetë 5949 persona.

Pra, sipas INSTAT-it, për tremujorin e parë të këtij viti, diferenca mes lindjeve dhe vdekjeve në Shqipëri, ose ndryshe shtesa natyrore e popullsisë ishte vetëm 37 vetë. Por, po të përfshihet emigrimi, atëherë popullsia e Shqipërisë ka vazhduar të rrudhet me ritme jo të vogla, shkruan “tch”.

Shkaku kryesor se përse shtesa natyrore e popullsisë po shkon drejt zeros është rënia dramatike e numrit të lindjeve. Të dhënat historike tregojnë se, numri i bebeve të lindura në 3 muajt e parë të këtij viti është më i ulëti i shënuar të paktën në 31 tremujorë me radhë, që nga koha kur INSTAT-i ka nisur të publikojë këtë tregues me bazë tremujore.

Sipas të dhënave të detajuara, nga 12 qarqe të Shqipërisë, në 9 prej tyre numri i lindjeve është më rënie në rend dyshifror, duke rritur më shumë shqetësimet se vendi mund të përballet me një krizë të mirëfilltë demografike.

Në buxhetin e këtij viti, qeveria miratoi një fond të posaçëm prej 24 milionë dollarësh për të nxitur lindshmërinë, sipas një skemë që paguan nga 400 deri në 1.200 dollarë për çdo fëmijë të lindur.