Transparenca financiare e subjekteve politike drejt përkeqësimit Foto: Driton Paçarada / Koha / ilustrim

Transparenca financiare e subjekteve politike drejt përkeqësimit

14 May 2019 14:55

Tetë organizata kanë kërkuar nga Kuvendi i Kosovës të refuzojë projektligjin për financimin e subjekteve politike, pasi amendamentet e propozuara paraqesin regres në krahasim me ligjin aktual në fuqi dhe shpërfill rekomandimet e Komisionit të Venedikut.

Sipas tyre, amendamentet e bëra nga komisionet përkatëse në Kuvend dëmtojnë frymën kushtetuese të ligjit, për shkak të dispozitave kontradiktore që rregullojnë marrëdhënien midis subjektit politik dhe deputetit për çështjen e shpërndarjes së Fondit për Demokratizim.

“Për më tepër, krijohet përshtypja se zyrtarët për financa të subjekteve kryesore politike i kanë ndryshuar dispozitat të cilat ju shkaktojnë kokëçarje atyre gjatë operimit me mjete të subjekteve të tyre, të cilat kryesisht vijnë nga taksat e qytetarëve të Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatë, shkruan ksp.

Amendamentet po ashtu cenojnë pavarësinë e Zyrës për Regjistrimin e Subjekteve Politike duke ia hequr kësaj zyre mandatin për mbikëqyrjen e financave të partive politike, përfshirë shqiptimin e gjobave, si dhe pamundësojnë transparencën e subjekteve politike pasi eliminojnë publikimin e emrave të pronarëve të personave juridik që japin kontribut për subjektet politike gjatë fushatës zgjedhore.

Organizatat Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), Demokraci për Zhvillim (D4D), Lëvizja FOL, Çohu, Demokraci Plus (D+), Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), Balkan Investigative Reporting Netëork (BIRN) dhe Westminster Foundation for Democracy (WFD) paralajmërojnë se miratimi i projektligjit me amendamentet aktuale të propozuara do të dëshmonte se klasa politike ende nuk tregon vullnet të mirëfilltë për transparencë dhe reforma.

Ato kërkojnë që Kuvendi të refuzojë amendamentet e bëra nga Komisionet përkatëse dhe të miratojë versionin e grupit punues qeveritar ose, si opsion i fundit, kryeministri Haradinaj, ta tërheqë projektligjin nga Kuvendi i Kosovës. Ndryshe, mbledhja e Komisionit për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit e paraparë për sot, është shtyrë për një ditë tjetër pasi nuk mori pjesë pozita.

Në këtë mbledhje ishte paraparë të shqyrtohet raporti me amendamente për Projektligjin për ndryshimin e ligjit për financimin e subjekteve politike.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme