EPIK: Unitet në dialogun me Serbinë, korrigjimi i kufijve i dëmshëm

EPIK: Unitet në dialogun me Serbinë, korrigjimi i kufijve i dëmshëm

Fitim Gashi Fitim Gashi 13 May 2019 11:25

Instituti EPIK ka mbajtur tryezën "Kuadri Kushtetues i Procesit të Dialogut Kosovë-Serbi”, në të cilën u kërkua unitet politik në dialogun me Serbinë.

Tutje në këtë tryezë u diskutua edhe ideja e korrigjimit të kufijve e cila u vlerësua si e gabuar.

Taulant Kryeziu nga Instituti EPIK tha se duhet t’i bëhet e ditur Serbisë se çdo marrëveshje për korrigjim territoresh është e papranueshme.

Ai ka thënë se duhet të vendoset kufizim në mandatin negociues.

“Delegacioni shtetëror nuk do të jetë entiteti i vetëm në dialog, që vendimmarrja të jetë unanime nuk është arritur as kufizimi i mandatit kushtetuese në këto negociata. Vështirë me një shumicë të brishtë që nuk kalon 60 vota, me kalu një marrëveshje”, ka thënë ai.

“Duhet gjetur alternativë si do duhej dukej ekipi negociator, cila është rruga kushtetuese që duhet ndjekur në mënyrë që procesi të ketë kredibilitet dhe legjitimitet. Të vendoset kufizim në mandatin negociues. Tërë kohën e ka marrë ideja e shkëmbimit territorial. T'i bëhet e ditur Serbisë se çdo marrëveshje që prek territorin është e papranueshme”, ka përfunduar ai, transmeton Koha Ditore.

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, ka thënë se korrigjimi i kufijve nuk zgjidh asgjë dhe komplikon marrëdhëniet mes popujve.

Ai ka shtuar se duhet të ofrohet një zgjidhje e cila nuk bazohet në gjymtimin territorial.

“Copëtimi, jo vetëm që nuk do të zgjidhte asgjë, por siç e tregon historia kjo komplikon më shumë marrëdhëniet në mes të popujve duke u dhënë marrëdhënieve të tilla dimensionin e problemeve afatgjate. Në vend të kësaj, duhet të promovohet dhe ofrohet një zgjidhje evropiane, që nuk bazohet në gjymtimin territorial por në sundim të ligjit, respektim të të drejtave të njeriut dhe minoriteteve”, ka thënë ai.

Analisti politik, Belul Beqaj, ka thënë se marrëveshja përfundimtare me Serbinë duhet të jetë e harmonizuar nga të gjithë faktorët politikë në vend.

Ai e ka quajtur pengesë serioze çakordimin e liderëve vendorë.

“Por kemi çakordim të liderëve, presidenti që tenton ta imponojë vullnetin politik dhe kjo është një pengesë serioze politike. Sikur ideja për ndarjen të ishte e mbështetur nga sovrani dhe unitetiti i faktorit ndërkombëtarë, qe aktualisht nuk ekziston, atëherë përfaqësuesit do të kishin bazë për të negociuar edhe territorin”, ka thënë ai.

Ndërkaq, Jeta Krasniqi nga KDI ka thënë se kërkesë e tyre ka qenë që në dialogun me Serbinë, Kuvendi të ketë rol qendrorë.

Ajo thotë se në vazhdimësi kanë kërkuar konsensus të gjerë, duke parë qe shumica e marrëveshjeve të kaluara nuk ishin zbatuar, si dhe nevojën për shtrirjen e sovranitetit në tërë territorin e vendit.

“Kuvendi të ketë rol qendror në procesin e dialogut dhe marrëveshja eventuale me Serbinë të ratifikohet me dy të tretat e votave të deputetëve. Miratimi i ligjit në mars, pamë që nuk arriti të krijoj rend kushtetues mes institucioneve. Kërkesa e delegacionit që ata të pyeten për marrëveshjen finale del përtej kornizës kushtetuese pasi është ndërhyrje në mes pushteteve”, ka shtuar Krasniqi.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme