PSD: Arrestohet deputeti Molliqaj, kishte kërkuar lirimin e Kurtit

Lirohet deputeti Molliqaj

13 May 2019 11:20
13:06

Deputeti i PSD-së,  Dardan Molliqaj është liruar.

Ai ishte arrestuar sot herët në mëngjes me një urdhër arrest lëshuar nga Gjykata.

Lajmin për lirimin e Molliqajt e konfirmoi për Koha.net zëdhënësja e Partisë Socialdemokrate, Natyra Kuçi.

“Pasi ishte dërguar ne Prokurori, deputeti Molliqaj tashme është liruar me procedurë të rregullt. Rasti do të vazhdojë”, ka thënë ajo.

Sipas Policisë, Gjykata Themelore në Prishtinë ka lëshuar dje një urdhër arrest për Dardan Molliqajn.

Ai është arrestuar në lidhje me pjesëmarrjen në protestë pas arrestimit të liderit të VV-së Albin Kurtit në vitin 2015.

11:52

Policia jep detaje për arrestimin e deputetit Molliqaj

Policia e Kosovës ka arrestuar sot deputetin e PSD-së, Dardan Molliqaj.

Përmes një njoftimit për medie, Policia thotë se arrestimi është bërë konform detyrimit ligjor, me urdhër- arrest nga Gjykata Themelore në Prishtinë, respektivisht Departamenti i Përgjithshëm.

Sipas Policisë, urdhër-arresti është e nxjerrë me datën 12.05.2019, dhe në të janë specifikuar detyrimet për policinë, që i pandehuri Dardan Molliqaj, të dërgohet në Objektin e Pallatit të Drejtësisë, saktësisht në Prokurorinë Themelore, transmeton Koha.net.

"Aktualisht policia sipas rregullit po kryen të gjitha veprimet e nevojshme procedurale për të përmbushur plotësisht urdhëresën e gjykatës", thuhet në njoftimin e tyre.

11:20

PSD: Arrestohet deputeti Molliqaj, kishte kërkuar lirimin e Kurtit

Policia e Kosovës ka arrestuar sot në orët e hershme të mëngjesit deputetin Dardan Molliqaj. Ai është arrestuar në banesën e tij dhe nuk ka qenë i paralajmëruar më herët për seancë apo paraqitje ne gjykatë, njofton kumtesa nga PSD, transmeton Koha.net .

Molliqaj është arrestuar nën arsyetimin për pjesëmarrje në protestën për lirimin e deputetit Albin Kurti, në vitin 2015. Arrestimi i deputetit në fjalë ka qenë në kundërshtim me liritë dhe të drejtat e njeriut dhe në shkelje të plotë të procedurave ligjore. Për këtë arsye, ajo protestë ka qenë e drejtë dhe e nevojshme.

Partia Socialdemokrate kërkon lirimin e menjëhershëm të deputetit Dardan Molliqaj. PSD është për shtet të së drejtës, ku respektohet liria për protestë dhe kritikë. Prandaj, për ne është e papranueshme çfarëdo përpjekje për cenimin e tyre.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Luani17/05/2019 10:38

hahahha: e paska lirue SHIKU veq paska ba Hajgare.....

Shto koment

Të ngjashme