Arbëri

Fqinji që shqiptarizoi Bill Clintonin

Descriptive Text

E hapur është përherë dera e shtëpisë së Osman Osmanit për fqinjin e tij të parë. E ai nuk është fqinj dosido. S’është askush tjetër, por vetë Bill Clintoni. Dhe Osmani është asi burri që i ka ruajtur edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës traditat shqiptare të mikpritjes.

“Shpia e shqiptarit është e Zotit dhe e mikut”, është njëra prej shprehjeve kanunore që përshkruan nikoqirllëkun e të zotit të shtëpisë për mysafirin, shkruan sot Koha Ditore.

“Të falënderoj prej shpirtit çfarë ke ba ti për neve. Veç Zoti se tjetërkush s’ka ba ma shumë se ti për ne”, ishin fjalët e para që Osmani do t’ia thoshte në konakun e tij presidentit demokrat, Bill Clinton, në shtatorin e vitit 1999.

Billi dhe bashkëshortja e tij, Hillary Rodham Clinton, atëherë zonjë e parë, blenë për 1.7 milionë dollarë shtëpinë njëmbëdhjetë dhomëshe të stilit holandez në Chappaqua, në periferinë pyjore të Westchester Countyt, shkruante gazeta njujorkeze, “New York Times”, në numrin e 3 shtatorit 1999.

“Me blerjen e shtëpisë në New York, hiqet një prej pengesave kryesore në shtegun e zonjës Clinton, e cila po përgatitet për garën zgjedhore për Senatin e Shteteve të Bashkuara”, raportonte prestigjiozja amerikane.

Lotët e presidentit

Njëri prej tri familjeve fqinje ishin edhe Osmanët nga Morina e Gjakovës. Shtëpia e tij trekatëshe është përballë Clintonëve.

Osmanët ka 35 vjet qyshkur kishin ngulur themelet e rezidencës me lëndinën e madhe që shtrihet përballë tri shtëpive të tjera të fqinjëve. Aty kishin jetuar 23 anëtarët e tre vëllezërve Osmani, që do të zotëronin rreth tetëqind patundshmëri para se të ndaheshin.

Osman Osmani, tani pronar i rreth katërqind banesave e shtëpive në rrethinën njujorkeze, kishte takuar gjatë viteve nëntëdhjetë si pjesë e grupit të fuqishëm të lobit shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës shumë politikanë të lartë me fuqi vendimmarrëse në politikën amerikane.

Në sy i kishte thënë Clintonit se ishte votues republikan. Megjithatë, e kishte mbështetur fushatën për senatore e presidente të zonjës Clinton për shkak se e kishte ndihmuar Kosovën. Thotë se lobi shqiptaro-amerikan ka ruajtur neutralitetin partiak kur vinte puna te çështjet e shqiptarëve në Ballkan. Por ndihej borxhli ndaj Hillary Clintonit si fqinj i parë.....(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “E Diela me Koha Ditore”)